NDËRTIMI


NDËRTIMI
✤ Degë e prodhimit material që merret me ngritjen dhe rikonstruksionin e ndërtesave si dhe të veprave industriale, hidroteknike, bujqësore, shoqërore e kulturore, të rrugëve, urave, hekurudhave etj. Mbështetet në Ind. e materialeve të ndërtimit (shih) dhe vepron nëpërmjet ndërmarrjeve të ndërtimit dhe të montimit. Nga ndërtimet e para të kryera në truallin e Shqipërisë që në lashtësi njihen banesat mbi hunj, buzë lumenjve e liqeneve, e më vonë ndërtesat e banimit, ato publike e fetare, rrethimet e qyteteve të periudhës ilire me blloqe gurësh të latuar pa llaç, me trashësi deri në 2,5 m, kanalizimet e qyteteve të mëdha bregdetare etj. Që në lashtësi janë ndërtuar ura me këmbë guri, rrugë të mëdha si ajo Egnatia, rruga kryesore dhe më e rëndësishme e Ilirisë së J. Në ndërtimin e godinave dhe të urave filloi të përdoret që në shekujt e parë të e.r. harku, Ilaçi i gëlqeres, tullat dhe rrugët shtroheshin me plloça të mëdha. Në shekujt V-VII u përdorën kolona prej graniti të punuara me mjeshtëri. Gjatë mesjetës deri në shek.XVII u kristalizua tipi i banesës popullore shqiptare, dykatëshe, prej guri, ose guri e druri etj. Këto tradita vazhduan deri në shekXX, kur filluan të përdoren edhe betoni e betonarmeja, u shtua përdorimi i tullave dhe i lëndëve të tjera të N. prej deltine të pjekur etj. Pas Çlirimit filluan të kryhen me plan ndërtime kapitale. Në fillim u punua për rindërtimin e_ banesave dhe veprave të shkatërruara plotësisht ose pjesërisht dhe mënjanimin e shpejtë të dëmëve të luftës (shih). Brenda vitit 1945 u ngritën pothuajse të gjitha urat e shkatërmara, deri _ më 1947 u rindërtuan rreth 30.000 shtëpi të djegura, rrugët, ujësjellësit, centralet elektrike, u mëkëmbën portet kryesore të vendit. Më 1947 u krijuan Ndërmarrjet Shtetërore të Ndërtimit (NSHN) dhe Ndërmarrja Shtetërore Projekti. Gjatë pesëvjeçarit të parë (1951-1955) u sigurua baza teknike-materiale e prodhimit, u forcua dhe u zgjerua rrjeti i ndërmarrjeve të N. duke krijuar ndërmarrje të posaçme për montime. Menjëherë pas Çlirimit filloi tharja e kënetave për bonifikimin e fushave, ndërtimi i hekurudhave, rrugëve, hidrocentraleve etj. Një nga veprat e para të rëndësishme që u ndërtuan ishte Kombinati i tekstileve «Stalin» (shih) me qytetin e ri prej 10 mijë banorësh për punonjësit. Më vonë u ndërtuan me qindra vepra industriale, energjetike, bujqësore, social-kulturore etj., mjaft prej ‘të cilave janë ndërtime komplekse e me përmasa të mëdha si Kombinati metalurgjik «Çeliku i Partisë» në Elbasan, Kombinati i autotraktorëve «Enver Hoxha» në Tiranë, HEC-et mbi lumin Drin, Uzina e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh etj. Teknologjia e N. kaloi nga punimet me blloqe monolite në ato me elemente të mëdha të parapërgatitura prej betoni të armuar të zakonshëm e të paranderur. Në godinat e banimit me panele vertikale dhe horizontale prej betoni të armuar, parapërgatitja ka arritur sot pothuajse 100%, është shtuar edhe shkalla e parapërgatitjes në ndërtimet industriale. Krahas konstruksioneve prej betoni të armuar të zakonshëm dhe të paranderura, kohët e fundit janë zhvilluar edhe konstruksionet e lehta metalike në ndërtimet industriale dhe në mbulimin e godinave social-kulturore. Sot veprojnë shumë ndërmarrje të specializuara për ndërtimet industriale, banesat, bonifikimet, hidrocentralet, rrugët, urat dhe dhjetëra institute studimore projektuese dhe zyra të urbanistikës e të projektimit në rrethet. Problemet e projektimit dhe të zbatimit të punimeve të N. janë disiplinuar nëpërmjet «Kushteve teknike të projektimit» (KTP) dhe «Kushteve teknike të zbatimit» (KTZ), dokumente themelore normative të përdorura në N. nga projektuesit, ndërtuesit dhe montuesit. Gjatë viteve të pasçlirimit vëllimi i ndërtimeve dhe montimeve në sektorin shtetëror u rrit mbi 30 herë. Në v.1981-1983 shteti investoi për ndërtimet 1706 milionë lekë, nga të cilat 1041 milionë lekë për ndërtime në sferën prodhuese. Në organizimin, drejtimin dhe zhvillimin e N. kanë dhënë ndihmesë të veçantë Spiro Koleka, Josif Pashko, Shinasi Dragoti, Rahman Hanku, Salih Angoni, Kristaq Gliozheni etj. Një program pune për rritjen e efektivitetit të ndërtimeve, të nivelit shkencor e estetik të tyre janë vendimet e Plenumit të 7-të të KQ të PPSH, «Mbi gjendjen e ndërtimeve dhe problemet që dalin» (shtator 1983).

(V.P.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Ndërtimi


[cite]