NEOGJENI


NEOGJENI
✤ Nënperiudhë e terciarit, e përfshirë ndërmjet paleogjenit dhe kuaternarit që ka zgjatur në kohë rreth 24 milionë vjet (nga para 26 milionë vjet deri para 2 milionë vjet) dhe gjatë së cilës janë formuar shkëmbinjtë që përbëjnë nënsistemin neogjenik. Ndahet në seksionet gjeologjike (epokat): miocen e pliocen.

Në Albanidet dhe në tërë trevën mesdhetare gjatë N. bimësia mori dora-dorës pamjen e sotme, fauna tokësore pësoi ndryshime të mëdha. U zhdukën marsupialët dhe shumë thundrakë primitivë dhe u zhvilluan shumë gjitarët. Dolën majmunët antropomorfë, nga të cilët u zhvillua njeriu. Shumë nga këto gjini kafshësh, pasardhësit e të cilave sot janë tropikale, në fund të N. u zhdukën nga treva mesdhetare. Gjatë N. ndodhën lëvizje të fuqishme tektonike të ciklit malformues alpin, që përkryen krijimin e vargjeve të rrudhosura alpine mesdhetare dhe të tërësisë së Albanideve, si rrjedhojë e afrimit të mëtejshëm të pllakës afrikane me atë evropiane. U krijuan ultësira të mëdha paramalore e ndërmalore, të cilat u mbushën me shtresnaja të trasha shkëmbinjsh sedimentarë që përbëjnë molasën. Disa nga këto ultësira vazhdojnë të jenë të zhytura dhe përbëjnë pellgjet e sotme detare të Mesdheut, ndër të tjera edhe detin Adriatik. U krijuan edhe liqenet e njohura të kësaj treve, veçanërisht ata të Gadishullit Ballkanik. U formuan vullkanet, që janë edhe sot veprues. Veç formimit të vijimësisë së trashë të shkëmbinjve sedimentarë që përbëjnë molasën, gjatë N. në Albanidet ka ndodhur edhe formimi i shtratimeve të naftës e të gazit, i shtresnajave qymyrmbajtëse dhe i mjaft mineraleve të tjera të dobishme, si boksiti, kripa e gurit, bitumi natyral, lëndët e ndryshme të ndërtimit etj.

(A.P.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Neogjeni


[cite]