Niketa Dardani

Niketa Dardani

shqiptar ortodoks Niketa Dardani ka lindur në vitin 340 në qytetin e Remesianës në Dardani. Në moshën 26- vjeçare u hirotonis peshkop i Remesianës. Ai zotëronte disa gjuhë të huaja si greqishten, latinishten etj. Niketa ka predikuar krishterimin tek fiset barbare që jetonin në territorin e Dakisë. Niketa ka pasur lidhje miqësore me Ambrozin e Milanos, Augustinin dhe Paulinin e Nolës. Ai ka marrë pjesë në disa sinode që janë zhvilluar në Romë. Këto sinode janë thirrur prej papë Damasit. Niketa përmendet për herë të fundit në një letër të shkruar nga papë Inoçenti I në vitin 414. Pasi shërbeu rreth 15 vjet si peshkop i Remesianës, Niketa fjeti përgjithmonë më Zotin. Kisha e ka shpallur shenjt dhe kujtimin e tij e kremtojmë më 24 qershor. Niketa ka qenë muzikant i shquar kishtar. Ai ka kompozuar shumë himne, të cilat fatkeqësisht kanë humbur. Himni më i famshëm i tij është Te Deum Laudamus. Ky himn është psalur në ceremonitë e kurorëzimit të mbretërve, gjatë kanonizimit të shenjtorëve etj. Të dhënat rreth veprimtarisë së Niketës i jep miku i tij Paulini i Nolës. Ky i fundit ishte poet dhe Niketës i ka kushtuar dy poezi, me anën e të cilave mësojmë ato që dinte për të. Paulini përmend aktivitetin misionar të Niketës te popujt fqinjë: dakët, getët, besët dhe skitët. Nga shkrimet teologjike të Niketës mund të përmendim Mbi Trininë e Shenjtë dhe Mbi fenë, të cilat i ka shkruar thjesht dhe kuptueshëm.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Nikollë Loka, Gjet Kola, Iliria Biblike, Shenjtorët iliro-shqiptarë nga Kostandini i Madh te Nënë Tereza, Geer, Tiranë 2005, faqe 28- 29.
2-Gaspër Gjini, Ipeshkëvia Shkup- Prizren nëpër shekuj, Drita, Zagreb 1982, faqe 61.

Besimi — Ortodoks
Persona

[cite]