NIKOLLAI


NIKOLLAI
✤ (Petroviç Njegosh, 1841-1921). Princ e prej 1910 mbret i Malit të Zi (1860-1916), i njohur për politikën e tij shoviniste ndaj Shqipërisë. Duke patur edhe përkrahjen e Carit të Rusisë dhe mbretit të Italisë, u përpoq të krijonte një shtet të madh sllav në Ballkan ku të përfshiheshin edhe trojet shqiptare dhe të vihej në krye të tij. Synimet ekspansioniste të tij u realizuan pjesërisht gjatë viteve të Krizës Lindore (1876-1881) kur Mali i Zi aneksoi Ulqinin (1880) dhe gjatë Luftës I Ballkanike të viteve 1912-1913 kur aneksoi Plavën, Gucinë, Hotin, Grudën etj. N.I ndoqi një politikë mashtruese ndaj malësorëve shqiptarë duke u bërë atyre premtime demagogjike që t’i përdorte ata në luftën kundër Turqisë për qëllimet e tij. Ushtritë e Malit të Zi së bashku me ato të Serbisë bënë krime e masakra ndaj popullsisë shqiptare të viseve të aneksuara, zbatuan ndaj saj politikën e shkombëtarizimit dhe e detyruan një pjesë të shpërngulet nga trojet amtare.

(M.Pr.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Nikollai


[cite]