Një enigmë e zgjidhur

Shkëmbinjtë metamorfikë, të formuar nga shkëmbinjtë shpërthimorë dhe fundërresorë, për një kohë të gjatë paraqisnin një problem të pazgjidhur për gjeologët. Ata mund të zbulohen në gjithfarë fazash të formimit të tyre, të cilat mund të jenë të thjeshta ose dhe shumë të ndërlikuara, dhe mund të zhvillohen për disa orë ose për periudha tepër të gjata, prej disa qindra miliona vjetësh. Prandaj ishte e natyrshme që gjatë debatit që u zhvillua pas vitit 1800 midis neptunistëve dhe plutonistëve, palët e ndryshme të kishin mendime të turbullta në lidhje me dukuritë që çuan në formimin e këtij tipi shkëmbinjsh.
Xhejms Hatëni, i cili kishte zbuluar shtresa fundërresore plotësisht të rrudhosura dhe të ndrydhura fort, që dukej se e kishin ndryshuar natyrën e tyre, mendoi me të drejtë se pjesa më e madhe e shkëmbinjve të planetit tonë kishin pësuar ndryshime të dukshme me kalimin e kohës. Aty nga mesi i shekullit të nëntëmbëdhjetë gjeologu Çarlz Lajëll, pasi kishte bredhur nëpër Angli, në kontinentin evropian dhe nëpër Amerikë, shkroi për herë të parë një histori të së kaluarës së Tokës, duke shprehur miratimin e tij për pohimet e mësipërme. Më vonë gjeologu kanadez V. Logan tregoi se shkëmbinjtë e Amerikës së Veriut, krejtësisht të zbuluar ndaj gërryerjes gjatë shekujve, janë shkëmbinj metamorfikë. Sidoqoftë, formimi i këtyre shkëmbinjve është një çështje me karakter thellësisht kimik, përderisa mineralet, janë shndërruar në minerale të tjera si pasojë e reaksioneve të ndryshme kimike. Për këtë arsye enigma e shkëmbinjve metamorfikë nuk mund të zgjidhej vetëm me pjesëmarrjen e gjeologëve. Në qoftë se sot ne e dimë se si dhe pse shkëmbinjtë pësojnë shndërrime të thella, kjo i detyrohet në radhë të parë kërkimeve dhe zbulimeve të kimistëve dhe të fizikanëve atomistë.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]