NORA E KELMENDIT


NORA E KELMENDIT
✤ (Nora e Bukur). Heroinë nga Kelmendi, që kaloi në legjendë për trimërinë e treguar kundër një pashai osman në shek. XVII. Sipas gojëdhënës, pashai që kishte shkelur Kelmendin kishte vënë si kusht për t’u larguar që t’i dorëzohej Nora, e njohur për bukurinë e saj. Nora shkoi te pashai dhe e vrau atë, duke e bërë veten fli për nderin dhe për çlirimin e vendit. Legjenda ka mbështetje historike. Pashallarët osmanë shpesh ndërmerrnin ekspedita në malësi qoftë për të ndëshkuar malësorët që u bënin dëme zotërimeve e pronave të feudalëve, qoftë për t’i detyruar t’i paguanin haraç sulltanit. Dokumentet flasin me të vërtetë për një pasha që u vra në malësi. Dëshmitarët e kohës, nga ana tjetër, përmendin edhe një zakon: rinia e vendit i kushtohej mbrojtjes së vendit dhe nuk martohej para një moshe të caktuar, djemtë vetëm pasi mbushnin 30 vjet dhe vajzat 25. Për vajzat dëshmohet se deri në moshën e martesës i mbanin flokët të shkurtër dhe visheshin si djemtë. Nora ka qenë një ndër këto vajza.

(I.Z.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Nora E Kelmendit


[cite]