NUSHI GOGO
✤ (1913-1970). Një nga udhëheqësit më të shquar të Partisë dhe të shtetit, nxënës besnik dhe bashkëluftëtar i ngushtë i shokut Enver Hoxha, anëtar i Byrosë Politike të KQ të PPSH nga Kongresi I (1948), President i Këshillit të Përgjithshëm të BPSH (1958-1970), nënkryetar i Frontit Demokratik (1967). Lindi më 15.2.1913, në fshatin Vuno të rrethit të Vlorës. Në moshën 14 vjeç emigroi në Francë, ku punoi 12 vjet si punëtor dhe u dallua për veprimtari revoluçionare. Më 1935 u pranua anëtar i Partisë Komuniste Franceze. U kthye në atdhe më 1940 për të marrë pjesë në luftën për çlirimin e vendit. Përkrah shokut Enver Hoxha punoi për themelimin e Partisë. Anëtar i PKSH që me krijimin e saj. Gjatë Luftës ANÇ u dallua si udhëheqës e organizator. Zhvilloi një punë të madhe e të palodhur veçanërisht në drejtimin e organizatës së Partisë të ish-qarkut të Tiranës, ku u zgjodh sekretar politik (1943). Në Konferencën I të Vendit të PKSH (1943) u zgjodh anëtar i KQ të PKSH; mori pjesë në Kongresin e Përmetit, i cili e zgjodhi anëtar të KANÇ (1944). Pas Çlirimit ka kryer detyra të rëndësishme në organet udhëheqëse të Partisë, të shtetit dhe të BPSH. Ministër i Industrisë dhe Minierave (1948), sekrtar i KQ të PPSH (1952-1956); kryetar i Kuvendit Popullor (1954-1956), zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave të RPSH (1956-1958). Me punë të palodhur dhe me besnikëri ndaj marksizëm-leninizmit dhe vijës revolucionare të PPSH dha ndihmesë të madhe për forcimin e Partisë, të shtetit, të ekonomisë socialiste, për edukimin revolucionar të klasës punëtore dhe mobilizimin e saj për ndërtimin soeialist të vendit. Gjatë gjithë jetës luftoi për ruajtjen dhe forcimin e unitetit marksist-leninist të Partisë dhe të fitoreve të revolucionit popullor, kundër armiqve të Partisë, të popullit dhe të marksizëm-leninizmit, kundër imperializmit dhe revizionizmit modern. Deputet në Kuvendin Popullor në të gjitha legjislaturat. Me vendim të KQ të PPSH janë botuar Vëpra të zgjedhura të Gogo Nushit (shih). Shtëpia e G.N. në Vuno është kthyer në Shtëpi-muze të vëllezërve Nushi (shih). Emrin e tij e mban Uzina e Plehrave Azotike në Fier dhe një rrugë kryesore në Tiranë.
(S.V.—Ivl.Sh.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Nushi Gogo
[cite]