OFTALMOLOGJIA


OFTALMOLOGJIA
✤ (Ophthalmologia). Degë e mjekësisë që merret me studimin, përcaktimin dhe mjekimin e sëmundjeve të syve. Për shkak të prapambetjes së mjekësisë, në shekujt e kaluar i kanë mjekuar sytë xherahët, që ndër të tjera hiqnin kataraktën (perde) etj. Shërbimi i parë oftalmologjik në Shqipëri u ngrit në spitalin e Tiranës më 1932 me 6-7 shtretër. Më 1936 u hap edhe në Korçë një repart i vogël me pak shtretër. Në 1936 vendi kishte vetëm tre oftalmologë. Pas Çlirimit krahas degëve të tjera të mjekësisë dhe O. pati zhvillim të shpejtë. Më 1955 u hap klinika oftalmologjike universitare me 64 shtretër. Që nga viti 1961 filloi përgatitja e specialistëve në këtë fushë me kurse pasuniversitare 2-vjeçare. Sot ka reparte të O. në të gjitha rrethet e vendit. Nga mjekët oftalmologë bëhet depistimi e dispanserizimi i të metave të refraksionit e ambliopisë te fëmijët e moshave parashkollore dhe shkollore, si dhe zbulimi pasiv I giaukomës në moshat mbi 40 vjeç, bëhet depistimi i retinopative diabetike dhe mjekimi i tyre me lazer. Studiohen kushtet e përshtatshme të ndriçimit në fabrika, shkolla, institucione etj. dhe për përdorimin e mjeteve mbrojtëse si syza, maska, mbulesa për parandalimin e aksidenteve në prmë e kudo. Ndër studiuesit mund të përmenden në këtë fushë Kristo Kristidhi, Andrea Aroni etj.

(Y. Sht.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Oftalmologjia


[cite]