OPERACIONI I NAZISTËVE GJERMANË EDELWEISS


OPERACIONI I NAZISTËVE GJERMANË EDELWEISS
✤ («Lulja e Yllit») NË QARKUN E DIBRËS (16.11.-7.12.1943). I pari operacion i madh I pushtuesve gjermanë në shkallë qarku për të pushtuar qytetet e Dibrës dhe të Peshkopisë dhe për të spastruar zonën nga partizanët. Morën pjesë reparte të D 297, D 100, Regjimentit të 2-të «Brandenburg» me një efektiv rreth 7000 veta, si dhe mbi 1000 veta të bandave mercenare. Në Dibrën e Madhe dhe përqark saj kishte rreth 600 luftëtarë të UNÇSH (të Grupit të Dibrës, një batalion i Br. II S dhe një numër vullnetarësh të krahinës). Rreth 200 vullnetarë e partizanë të tjerë ndodheshin në Peshkopi e në Zerqan. Komanda e Grupit të Dibrës kishte marrë masa për t’i shkaktuar humbje sa më të mëdha armikut. Operacioni filloi në mëngjesin e 16 nëntorit. Pas 10 orë luftimesh të ashpra, komanda e Grupit, e ndodhur para një armiku me forca dhjetë herë më të mëdha, urdhëroi tërheqjen gjatë natës. Armiku pushtoi edhe Peshkopinë, ku bëri masakra, djegie e plaçkitje. Operacioni «EdeIweiss» vazhdoi deri më 7 dhjetor. Luftime të ashpra u zhvilluan në Zerqan, Sllovë, Vlushë e Strikçan. Pushtuesit nazistë e tradhtarët, duke u derdhur nga shumë drejtime, mundën ta zotëronin përkohësisht gjendjen në qark. Në këto rrethana forcat e Grupit të Dibrës të shpërndara në njësite të vogla vazhduan të kryejnë detyra të ndryshme politike dhe ushtarake.

(Sh. L.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Operacioni I Nazistëve Gjermanë Edelweiss


[cite]