OPERACIONI I NAZISTËVE GJERMANË BERGKESSEL


OPERACIONI I NAZISTËVE GJERMANË BERGKESSEL
✤ («Lugaja MaIore»,) NË LUGINËN E SHUSHICËS (dhjetor 1943). Një ndër operacionet më të rëndësishme që ndërmori komanda gjermane gjatë Mësymjes së përgjithshme armike të dimrit 1943-1944 (shih) për asgjësimin e forcave të UNÇSH në luginën e Shushicës. Morën pjesë R 54 i D 100 i përforcuar me një grup dhe një bateri artilerie, si dhe afro 1500 mercenarë ballistë, gjithsej mbi 3500 veta. Forcat e UNÇSH në luginën e Shushicës në këtë periudhë përbëheshin nga pesë batalione të Zonës I Operative dhe tre batalione të Br. I S me një efektiv rreth 1500 veta. Armiqtë mësynin në mënyrë bashkëqendrore nga katër drejtime, me qëllim që t’i mbyllnin forcat tona në brendësi të Mesaplikut, të qarkuar me male, e pastaj t’i asgjësonin. Goditjen kryesore armiku e dha nga Vajza në Velçë dhe gjatë rrugës Gjorm-Brataj. Komanda operative, e krijuar nga komanda e Zonës I Operative dhe ajo e Br. I S i ndau forcat sipas drejtimeve kryesore nga priteshin goditjet e armikut. Për disa ditë rresht në Mesaplik e në Kurvelesh u zhvilluan luftime të ashpra gjatë të cilave forcat partizane me kundërsulme të vijueshme ia prishën planin kundërshtarit dhe i morën atij nismën taktike. Armiqtë pësuan disfatë të plotë. Pasi lanë në luftime afro 200 ushtarë e oficerë, përveç të plagosurve dhe robërve, më 23 dhjetor u detyruan të tërhiqen për në Vlorë. Nga partizanët ranë 17 veta. Luftimet e Mesaplikut i kalitën edhe më shumë luftëtarët e qarkut të Vlorës dhe të Br. I S, e pasuruan përvojën e tyre të luftimit me ushtrinë naziste gjermane.

(Sh. L.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Operacioni I Nazistëve Gjermanë Bergkessel


[cite]