ORA
✤ Figurë e mitologjisë, e besimeve popullore dhe e folklorit. Përfytyrohej si qenie e padukshme mbrojtëse që sjell mbarësi. Sipas besimeve popullore, ka O. e vet çdo njeri, çdo familje, çdo grup etnografik i vogël. O. njihej dhe është ruajtur më gjatë në Veriun shqiptar. Ndonëse është qenie e mbinatyrshme, vdes bashkë me atë që ka në mbrojtje. Në raste të veçanta O. shndërrohet në një gjarpër që i del në mbrojtje shtëpisë a njeriut, të cilit i rri gjithnjë afër. Thuhej se kur njeriu bënte ndonjë veprim të keq, që e poshtëronte, i nxihej O. O. e fisit a e rrethinës etnografike qëndronte në majën më të lartë të territorit dhe vrojtonte si rojë: O. e Shalës «rrinte» në majën e Rrëshellit; O. e Nikajve në majë të Kakisë. Duke u përdorur si figurë poetike e folklorit, O. ka marrë disa tipare që nuk i kishte në zanafillë: paraqitet si vajzë, si grua, në disa raste e pavarur nga njerëzit e që «u bën keq» atyre, e afërt me Zanën (shih). Sot ndeshet vetëm si figurë rrëfenjash.
(M. Ti.)
✤ (1929). Gazetë politike e kulturore. Numri i parë doli më 30.11.1929 në Tiranë, vijoi deri në nëntor 1930 tri herë në javë. U botua si vijim i Telegrafit (shih) dhe përkrahu regjimin zogist.
(M. T.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Ora
[cite]