ORGANIZATAT KUNDËRREVOLUCIONARE
✤ Janë krijuar pas Çlirimit brenda ose jashtë RPS të Shqipërisë me synim për të minuar dhe përmbysur shtetin e diktaturës së proletariatit. Në to kanë bërë pjesë elementë të klasave të përmbysura nga revolucioni popullor, kriminelë lufte, agjentë e spiunë të shteteve të huaja me qëndrim armiqësor ndaj Shqipërisë socialiste, si edhe armiq të tjerë të socializmit. Në të gjitha rastet O. K. janë organizuar me ndihmën dhe mbështetjen e armiqve të jashtëm të RPS të Shqipërisë dhe të PPSH. Legjislacioni penal i RPS të Shqipërisë dënon «krijimin e një organizate me karakter fashist, antidemokratik dhe antisocialist ose pjesëmarrjen në të për të kryer krime kundër shtetit» (neni 57 i KP). O. K. kanë vepruar në etapa të ndryshme të zhvillimit të vendit tonë dhe, megjithëse kanë qenë të natyrave të ndryshme, për t’ia arritur qëllimit, në veprimtarinë e tyre kanë përdorur si metodë kryesore mashtrimin, demagogjinë dhe dhunën kundërrevolucionare. Ndër më kryesoret kanë qenë grupi i deputetëve, grupi i rezistencës, organizata klerikale Bashkimi Shqiptar, organizata e Vorio-Epirit (Sillogu), grupet armiqësore antiparti në shërbim të agjenturave të huaja që nga grupi i Koçi Xoxes, Beqir Ballukut, Abdyl Këllezit deri te organizata kundërrevolucionare e drejtuar nga poliagjenti Mehmet Shehu. Të gjitha organizatat kundërrevolucionare që kanë vepruar brenda vendit janë zbuluar e asgjësuar dhe pjesëmarrësit e tyre janë dënuar nga gjykatat popullore. Po kështu kanë dështuar planet dhe veprimtaria e O. K. të krijuara jashtë shtetit në sajë të unitetit të çeliktë të popullit rreth PPSH, të vigjilencës revolucionare të shtetit të diktaturës së proletariatit, të fuqizimit të vazhdueshëm të ekonomisë e të mbrojtjes sonë, të forcimit të pozitave të RPS të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
(P. H.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Organizatat Kundërrevolucionare
[cite]