ORGANIZIMI FISNOR
✤ Ndërtimi i marrëdhënieve shoqërore gjatë periudhës së ekzistencës së fisit (shih). Disa anë themelore të këtij organizimi kanë qenë shprehur edhe në normat e së drejtës zakonore shqiptare (shih). Nga pikëpamja e strukturës O. F. kishte karakteristikë prejardhjen e njëjtë në vijën mashkullore dhe ndarjen e herëpashershme në fise të vegjël ose vëllazëri. Në krye të fisit ishte kreu, i cili quhej edhe plaku i fisit. Sipas së drejtës së parbirnisë (majoratil) kreun e trashëgonte djali i parë ose këmba e fisit, ndërsa djali i dytë bëhej kreu i djelmënisë, Djali i tretë ishte bajraktari, i cili në fillim kishte vetëm detyrën e mbajtjes së bajrakut në ekspeditat luftarake.
Pasardhësit e dytë e të tretë të ish-kreut së bashku me vegjëlinë kishin të drejtë të merrnin, vendime për fshatin, me kusht që ato të mos vinin në kundërshtim me parimet themelore të kanunit dhe jepnin disa dënime me gjobë, kurse për dënimet e rënda kërkohej pëlqimi i krerëve të parë dhe sipas rastit, i kuvendit. Një organizim që mbante vulën e demokratizmit fisnor ishte djelmënia (vegjëlia), pjesëtarë të çdo familjeje burrë për shtëpi, si dhe stërpleqtë. Këta të fundit ishin pleqtë e vëllazërive më të ulëta dhe kishin për detyrë të mënjanonin padrejtësitë që mund të vinin nga veprimet arbitrare të krerëve duke kontrolluar dhe kundërshtuar këto veprime. Së bashku me djelmëninë ata përfaqësonin elementin popullor në këto organizma të kanunit. Me krijimin e pronës private familjare krahas asaj të përbashkët të kujrisë, organizimi shoqëror, qoftë edhe mbi bazë territoriale ruajti megjithatë ende forma të O. F. Karakteristikë është se krerët dhe pleqtë e fiseve ishin anëtarë të këtyre bashkësive dhe kishin po ato të drejta sipas kanunit në lidhje me barazinë e gjakut në hakmarrje dhe në shfrytëzimin e kujrisë. Ata mbanin po ato detyrime përsa u përket pjesëmarrjes në punë shoqërore, në veprime ushtarake etj. Barazia kanunore u lëkund gjatë procesit të diferencimit shoqëror. Kullotat e përbashkëta të kujrisë u shfrytëzuan shkallë-shkallë në mënyrë të pabarabartë sipas numrit të bagëtive. Ata që kishin më tepër bagëti filluan të përvetësonin edhe tokat e më të varfërve; më pas ata u bënë pjesëtarë të gjobave që i merrnin popullit për shkelje të rregullave të kanunit si krerë e pleq krijuan privilegje edhe në radhën e ujitjes, që ishte e barabartë për të gjithë. Si krerë të fiseve a fshatrave u bënë ata të familjeve më të mëdha e më të fuqishme. Kështu u krijua paria ose aristokracia fisnore. Ky organizim shoqëror, me gjithë tiparet e demokratizmit fisnor kishte edhe mjaft elemente feudale. Kisha merrte të dhjetën nga fshatari e kishte prona të mëdha. Aristokracia fisnore ushtronte edhe detyrën e gjyqtarëve me shpërblim, Ata trashëgoheshin sipas parimit të parbirnisë. Struktura e O. F. të malësive të veriut ndryshonte sipas kushteve të zhvillimit të pronës private, veçorive gjeografike dhe traditave të trashëguara e të sanksionuara në kanun. Edhe në Labëri hailkat fisnore kishin afërsisht të njëjtën formë e natyrë, megjithse emërtimet ishin të ndryshme (çeta, berqe, zhivar, maza). Ky organizim shoqëror erdhi gradualisht duke u shthurur dhe u ruajt vetëm në formën e mbeturinave. Pas Çlirimit ai u mënjanua me vendosjen e marrëdhënieve socialiste në të gjithë vendin.
(K. N.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Organizimi Fisnor