ORIKUMI
✤ Qytet në rrethin e Vlorës (J), në J, të gjirit të Vlorës. Popullsia 2313 banorë. Pranë tij është qyteti antik, Oriku, themeluar nga eubeasit në shek. VI p.e.r. në trojet e fisit ilir të amantëve, mbi kodrën e njohur me emrin Paleokastër. Përmendet nga autorët antikë në shek. V p.e.r. si port i rëndësishëm i Adriatikut. U shfyrtëzua nga romakët në luftërat kundër ilirëve e maqedonëve, luajti rol në luftën civile midis Cezarit e Pompeut. Flota maqedone e Aleksandrit të Maqedonisë e pushtoi më 214 p.e.r. Në shek. III p.e.r, preu monedha me emrin e bashkësive qytetare. Nga rrënojat antike të qytetit janë ruajtur gjurmë banesash e rrugësh të skalitura në shkëmb, stera uji etj. Monumenti më i rëndësishëm është teatri i shek. I p.e.r. për 500 spektatorë, i zbuluar më 1959. Në shek. II të e.r. qyteti i dëmtuar nga një tërmet i rëndë u rindërtua dhe u rifortifikua në shek. V-VI. Në kohën bizantine dhe në mesjetë njihet si një port i vogël me emrin Jeriko. Pranë tij para shek. XII është ndërtuar kisha e Marmiroit, një kapelë e tipit kryq me kupolë e narteks sot të rrënuar. Në siluetën e saj mbizotëron tamburi i lartë cilindrik, karakteristik për ndërtimet e mesjetës së mesme. Shërbeu më pas si model për kishën e manastirit të Zvërnecit (shek. XIV). Në kohën e pushtimit osman O. u quajt Pashaliman. Pas Çlirimit O. u rikrijua në afërsi të qytetit të lashtë. Filloi të popullohej qysh në vitin 1949, më 1961 u shpall qytet dhe u zgjerua më pas sidomos me hapjen e brezareve të Jonufrës. Janë ngritur dhe uzina mekanike, si dhe kantieri i ndërtimit të parafabrikateve. O. ka shkollë të mesme bujqësore, shtëpi kulture, ambulancë, shtëpi lindjeje, rrjetin e shërbimit tregtar e komunal.

(Dh. B.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Orikumi


[cite]