ORIZI
✤ (Oryza sativa L.). Bimë barishtore njëvjeçare e familjes së gramoreve (Graminaeeae) me kërcell fyl të lartë deri 200 cm, me lulesë melth dhe rrënjë xhufkore. Dallohen dy nënlloje: O. kokërrshkurtër dhe O. i zakonshëm, që rritet në vendin tonë. Është kulturë shumë e lashtë (mbi 5000 vjeçare) në Lindjen e Largët dhe sot kultivohet në të gjitha kontinentet. Në Shqipëri mbillet në rrethet: Shkodër, Krujë, Durrës, Elbasan dhe Sarandë, në disa kultivarë: Farëmadhi, Gostima, Beltoja. Kokrrat e O. përmbajnë: yndyrë 2.4-2.6°/o, proteina 7-8.3%, lëndë ekstraktive të paazotuara 71-75%. O. ka vlerë të lartë ushqimore, megjithëse i varfër në albuminë dhe yndyrë. 1 kg oriz jep rreth 3500-3600 kalori; përvetohet lehtë nga organizmi, përdoret si ushqim dietik sidomos për fëmijët, pleqtë dhe të sëmurët. Është relativisht i pasur në vitamina të grupit B, më pak A dhe D, ndërsa vitamina C pothuajse mungon. Prodhimi i orizit ka qenë në v. 1983 19.2 herë më i lartë se në v. 1938, 2,6 herë më i lartë se më 1960. Rendimenti mesatar në disa ekonomi bujqësore në v. 1982 ishte 29.7 kv/ha. O. përdoret në ind. e alkoolit, për prodhimin e ermikut, të glukozës, acetonit etj. Kashta përdoret si lëndë e parë për fabrikimin e letrës, përgatitjen e kapeleve, rrogozave etj., në ushqimin e gjësë së gjallë e përzier me ushqime të tjera dhe si shtrojë për blegtorinë.
(N. Q.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Orizi
[cite]