ORKESTRA


ORKESTRA
✤ Grup instrumentistësh që luajnë së bashku vepra muzikore. O. shqiptare u ngritën sidomos nga fundi i shek. XIX, të lidhura me veprimtarinë gjatë Rilindjes Kombëtare. Luajtën rol të veçantë O. frymore (shih).. O.

e parë profesioniste, me formacion simfonik, u krijua më 1950 pranë Teatrit të Operës e Baletit në Tiranë, mbi bazën e O. së Radio-Tiranës dhe të Filarmonisë shqiptare. Kjo O. ka dhënë e jep një numër të madh shfaqjesh skenike (opereta, opera, balete), e koncertesh korale-simfonike, duke luajtur një rol të dorës së parë në lëvrimin e muzikës së kultivuar shqiptare. Më 1962 u krijua Orkestra Simfonike e Radio-Televizionit (shih), e cila ka gjithashtu një veprimtari të gjerë koncertale me nivel të lartë interpretimi. Në rrethet kryesore të vendit, ushtrojnë veprimtari një radhë O. simfonike me përbërje amatore e profesioniste. Ato ekzekutojnë e propagandojnë muzikën e kultivuar shqiptare, si dhe botërore. Në këtë radhë vijnë dhe O. e harqeve, ndër të cilat më i rëndësishëm është kuarteti i harqeve (violinë, violë, violonçel, kontrabas). O. e vogla ose orkestrinat janë grupime instrumentistësh me përbërje të ndryshme. Ekzekutojnë muzikë të lehtë, muzikë e këngë popullore të përpunuara dhe veprojnë kryesisht pranë estradave, shtëpive të kulturës dhe shtëpive të pionierëve, pranë ansambleve amatore të ndërmarrjeve, në qytet e në fshat. Veprimtari të dendur zhvillojnë orkestrinat popullore. Në to përparësi kanë veglat popullore: çiftelitë, sharkitë, fyejt, lahutat, lauritë, dajret, daullet etj). Ndër më të njohurat janë ato të Pukës, Mirditës, Tiranës, Shkodrës, Gramshit. Me timbrikën e tyre të pasur, relativisht dhe të temperuar, O. popullore përbëjnë një dukuri të veçantë të kulturës muzikore socialiste. Në repertorin e tyre bëjnë pjesë motive muzikore këngësh e vallesh popullore krahinore, nganjëherë të organizuara në formën e suitës, valles etj.

(Mu. Kr.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Orkestra


[cite]