OXHAKËT FEUDALË


OXHAKËT FEUDALË
✤ Familjet e mëdha pronare tokash, që përbënin oligarkinë sunduese feudale të Shqipërisë në shek. XVIII e deri në fillim të shek. XX. Me shthurjen e sistemit të timareve, karakteristik për feudalizmin ushtarak, u zhvillua prona e madhe feudale e çifligjeve që u përqendrua në duart e O. F. Secili oxhak kishte vendosur edhe pushtetin a vet politik e ushtarak dhe e përforconte atë në dëm të pushtetit qendror, duke krijuar lidhje familjare, aleanca e tarafe brenda e jashtë krahinës.

Porta, duke pasur nevojë për forca ushtarake dhe për të siguruar grumhullimin e të ardhurave shtetërore, u detyrua të mbështetej tek më të fuqishmit prej O. F., të cilët i lidhi deri diku pas vetes duke u besuar detyrat më të rëndësishme administrative e ushtarake dhe duke shfrytëzuar, nga ana tjetër, rivalitetin midis tyre. Ky rivalitet i pareshtur, që rridhte nga baza e saj ekonomike, e pengoi bashkimin e klasës feudale shqiptare në një front të vetëm, për t’u shkëputur nga vartësia e Stambollit e për të krijuar shtetin feudal shqiptar autonom ose të pavarur.

Ndër O. F. më të përmendur në Shqipëri gjatë shek. XVIII kanë qenë: Bushatilinjtë e Çaushollajt në Shkodër, Begollajt në Pejë, Kryezitë në Gjakovë, Rotullarët në Prizren, Toptanët në Krujë, Alltunët në Kavajë, Vërlacët e Biçakçinjtë në Elbasan, Velabishtët në Berat, Ngurzajt në Lushnjë, Vlorajt në Vlorë, Kapllanpashallitë në Gjirokastër, Kokajt në Delvinë, AsHanpashallitë në Janinë, dhe si oxhakë më të rinj, Vrionasit në Berat etj. Pas goditjes aë iu dha nga Porta një vargu oxhakësh të mëdhenj që ishin bërë të rrezikshëm me synimet e tyre politike në çerekun I të shek. XIX, mbetën pronarë të mëdhenj tokash oxhakët të cilët iu nënshtruan asaj, por hoqën dorë nga qëllimet e mëvetësisë politike dhe u bënë mbështetje kryesore politike-shoqërore e sundimit osman dhe e reaksionit politik e shoqëror të brendshëm e të jashtëm gjatë periudhës së Pavarësisë.

(S. N.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Oxhakët Feudalë


[cite]