PËRFAQËSIA DIPLOMATIKE
✤ Organ shtetëror i RPSSH që e përfaqëson këtë në një vend të huaj si dhe i shteteve të tjera në Shqipëri. P. D. kanë për detyrë të kujdesen për zhvillimin e marrëdhënieve politike, ekonomike, tregtare, kulturore etj. midis RPSSH dhe shtetit tjetër. Përfaqësia diplomatike dhe personeli i saj diplomatik gëzojnë privilegje dhe imunitete diplomatike, të cilat kanë të bëjnë me një trajtim të posaçëm që u bëhet për t’i lehtësuar në kryerjen e detyrës. Nuk lejohet shpërdorimi i tyre për të ndërhyrë në punët e brendshme të shtetit pritës. Nga rangu i titullarit dhe vendi ku është akredituar (shtet a organizatë ndërkombëtare) varet edhe rangu dhe emërtimi i përfaqësisë diplomatike. Në varësi të kësaj ato mund të quhen ambasadë, legatë ose mision (shih). Veprimtaria, funksionet, privilegjet dhe imunitetet diplomatike e të personelit të saj janë përcaktuar në Konventën e Vjenës të 18 prillit 1961 «Për marrëdhëniet diplomatike», të cilën e ka nënshkruar edhe vendi ynë. RPSSH ka sot 23 përfaqësi diplomatike jashtë shtetit.
(K.Kr.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Përfaqësia Diplomatike
[cite]