PËRMETI

Historia e Përmetit

Përmeti shtrihet në juglindje të Shqipërisë. Rrethi i Përmetit përbëhet nga dy bashki, e Bashkia e Përmetit dhe Bashkia e Këlcyrës, dhe nga 7 ish-komuna, Sukë, Ballaban, Petran, Çarshovë, Piskovë, Frashër e Dëshnicë, të cilat me reformën territoriale iu janë janë ngjitur dy bashkive.
Qyteti përbëhet nga 13.000 banorë dhe ka 3000 familje.

Emigrimi është një nga proceset që ka prekur Përmetin, dhe sot ka rreth 2500 emigrantë të cilët janë kryesisht ne Greqi, Itali por dhe në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë është vërejtur dhe lëvizja e banorëve nga fshatrat e trevës për në Përmet por dhe Këlcyrë. Përmeti është një qytet malor, dhe gjendet në rrëzë të malit Dhëmbel që është pjesë e vargmalit Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë. Anës tij kalon lumi i Vjosës, që është bërë pjesë e pandashme e emrit të këtij qyteti.

Është një qytet i vogël nga sipërfaqja por jo i tillë nga traditat e kulturat. Emri i tij vjen nga një hero i lashtësisë, i quajtur Premt, historia e të cilit ka ardhur deri në ditët tona, brez pas brezi. Thuhet se për të mos rënë në duart e armiqve, Premti vendosi te hidhej nga Guri i Qytetit, një shkëmb i madh afër qendrës së Përmetit, një monument i vërtetë kulture. Një karakteristikë tjetër e Përmetit kanë qenë lulet, më saktë trëndafilat që gjenden kudo nëpër qytet, sidomos nëpër lulishte, por gjithashtu në shtëpitë me origjinë të vjetër përmetare. Këto shtëpi private mbahen aq pastër nga zonjat e shtëpive, që veç nikoqirllëkut shquhen gjithashtu dhe për mikpritje. Ishin këto lule që e bënë Përmetin të quhej me përkëdheli si “Qyteti i trëndafilave”. Por kjo është pak që mund të themi për të pasi për Përmetin mund të themi që është vatra e kulturës dhe atdhedashurisë.

Përmeti është një nga qytetet më të hershëm që zhvilloi kulturën e vet. Mjafton të përmendim të madhin Mentor Xhemali, një yll i muzikës shqiptare si dhe të pazëvendësueshmin Laver Bariun që dhe sot e kësaj dite dëgjohet me kënaqësi. Dhe meqenëse përmendëm Laverin, mund të themi edhe një kuriozitet, ndoshta botëror, si i vetmi person në botë që jetonte në rrugën që kishte emrin e tij.

Tezgë frutash – Përmet 1939

Por nuk është vetëm muzika ajo që formon kulturën e Përmetit, por vetë njerëzit, nuk mund të harrohen poezitë e të madhit Naim, lindur në Frashër, një fshat i Përmetit, emra të tjerë që mund të përmendim janë Bardhyl Londo, Sejfulla Malshova, Niko Tyto, Tefta Tashko Koço, Odhise Paskali etj.

Qyteti i Përmetit ka vetëm dy shkolla 9-vjeçare, “Nonda Bulka” e “Meleq Gosnoshti”, si  dhe gjimnazin,”Sami Frashëri”. Dallohet per tolerancë madje për vite me radhë përmendet si rrethi me kriminalitetin më të ulët dhe vrasje zero duke e bërë atë vendin më të sigurt në Shqipëri. (Top Channel 2016)

 

 

 

 

 

—– Pjesa e mëposhtme është nga versioni i paredaktuar i Fjalorit të Enciklopedisë të vitit 1985 —-

✤ Qytet në bregun e majtë të luginës së Vjosës, rrëzë malit të Dhëmbelit, qendër e rrethit të Përmetit. Popullsia 5804 banorë. Përmendet me këtë emër që në shek. XV. Deri në gjysmën e dytë të shek. XIX qyteti u rrit ngadalë. Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare u bë një qendër e rëndësishme kulturore e patriotike. Këtu u ngrit komiteti për mbrojtjen e vendit nga rreziku i pushtimit grek (1878) dhe zhvilluan veprimtari patriotike një varg figurash të shquara. Më vonë u formua organizata legale e lëvizjes kombëtare, klubi «Bashkimi» (1909). Përmeti ishte një nga qendrat e njohura të Revolucionit demokratiko-borgjez (1924) dhe aty qëndruan për disa kohë përkrahësit e Fan Stilian Nolit. Në periudhën e Luftës ANÇ Përmeti u bë qendër e rëndësishme e lëvizjes. Këtu zhvilloi punimet Kongresi LANÇ (shih), të cilat i drejtoi sh. Enver Hoxha, u formua Brigada VI S dhe më vonë. Divizioni I UNÇSH. Janë zhvilluar aksione e beteja të rëndësishme kundër pushtuesve nazi-fashistë, të cilët e dogjën qytetin katër herë. Përmeti u çlirua më 13.9.1943.

Pas Çlirimit Përmeti u shndërrua në një qytet të zhvilluar bujqësor-industrial, qendër e rëndësishme kulturore e arsimore. Dega kryesore e ekonomisë është industria e lehtë e ushqimore, që jep 80.4% të prodhimit industrial, sidomos fabrikat e përpunimit të rrushit,’ fabrika e miellit e makaronave dhe reparti i trikotazhit. Krahas tyre ka industri të drurit, mekanike, të materialeve të ndërtimit. Në Përmet ka shkollë të mesme të bashkuar, 2 shkolla 8-vjeçare, 4 kopshte e 2 çerdhe, bibliotekë, shtëpi kulture, disa grupe amatore e ansamble artistike, grupin karakteristik të këngës përmetare dhe grupin folklorik. Veprojnë dega e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, bërthama shkencore. Ka spital, poliklinikë, qendër epidemiologjike, farmaci, klinikë dentare, shtëpi lindjeje.

Në Përmet ndodhen Muzeu historik i rrethit, salla muze ku u mbajt Kongresi historik, gjithashtu muzeu i arsimit, muzeu ushtarak, monumenti i Kongresit, lapidari i formimit të Brigadës VI S, kompleksi skulpturor në varrezat e dëshmorëve, busti i poetit Naim Frashëri, i patriotit Hajredin Tremishti dhe i Heroit të Popullit Meleq Gosnishti. Ndërtimet pas Çlirimit u shtrinë buzë Vjosës, me rrugë të gjera e shtëpi shumëkatëshe, parqe e lulishte.

 

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Përmeti

● Fotografi nga: Vandeleur Robinson Photo Collection Albania 1939 & 1944-1945

[cite]