PËRRALLA


PËRRALLA
✤ Tregim popullor me njerëz, kafshë e ngjarje të trilluara, në të cilin rol të rëndësishëm luan e jashtëzakonshmja dhe fantastikja. Populli shqiptar ka një pasuri e larmi P. të bukura e interesante. P. popullore ndahen në: fantastike (ose të mirëfillta), novelistike (aventurore), humoristike dhe fabula. Në P. fantastike rolin kryesor e luajnë elementet e mrekullueshme, të mbinatyrshme. Me origjinë mitologjike ose të krijuara me mjete të poetikës mitologjike janë një pjesë e mirë e personazheve të këtyre përrallave, si: kuçedra (shih), Lubia ose Mëmëlubia (e afërt me kuçedrën), Divi (personifikim i forcës së egër brutale por dhe naive) Katallani (një farë divi. në emrin e të cilit ruhen kujtime për mereenarët e Katalonjës së Spanjës, që u dukën së pari në Ballkan më 1302), e Bukura e Dheut (personifikim i lumturisë), Dragoi (shih), Shtatëpëllëmbëmjekri e tripëllëmbështati (një xhuxh me fuqi e veti të mbinatyrshme), Arapi ose Bajlozi (përbinaësha që kërkojnë privilegje) etj. Disa personazhe të tjera, edhe pse kanë veti të jashtëzakonshme, janë tokësore: Qerosi (mishërim i zgjuarsisë, guximit, mirësisë), Dedalia e Çangallozi (luftojnë me Kuçedrën e Divin), Musa i Vogël (djalë i varfër, tepër guximtar e zemërmirë), Maro Përhitura ose Hirushja (vajza jetime, që mishëron mirësinë, dëlirësinë, thjeshtësinë), më i vogli ndër tre vëllezërit ose më e vogla ndër tri motrat etj. Personazhet pozitive i ndihmojnë qenie të tilla fantastike si ora dhe zana, kafshë me veti të mrekullishme (kali, gjarpri, shqiponja). Ata kanë si ndihmës mjete çudibërëse: shpatën që pret vetë, kuti magjike, ujtë «të pavdekshëm». Pas së mrekullishmes së këtyre P. fshihen mendime, dëshira e shqetësime njerëzore, si dëshira për të njohur e nënshtruar natyrën, përpjekjet për t’i shpëtuar shtypjes shoqërore, ideja se njeriu i thjeshtë me luftë, punë e përpjekje mund të arrijë lumturinë. Karakteristikë e P. novelistike është fryma aventurore dhe romantike: episodet ndjekin njëri-tjetrin dhe i japin tregimit pamjen e një novele të vogël; personazhet e mjediset zbukurohen. P. humoristike e zhvillojnë subjektin rreth ngjarjeve dhe dukurive komike. Në këto dy lloje P. elementi i mrekullishëm luan rol të kufizuar, nuk është i domosdoshëm. Fabulat ose P. me kafshët janë tregime alegorike moralizuese me personazhe kafshë a bimë. Mjaft nga P. shqiptare sidomos fantastike e novelistike kanë paralele edhe në popuj të tjerë, por dallohen për origjinalitetin dhe karakterin kombëtar. Ndryshimet e mëdha, të kushtëzuara historikisht që kanë ndodhur në ndërgjegjen artistike të popullit tonë, mjetet e reja edukative-argëtuese kanë sjellë ndryshime edhe në jetën e P. popullore. Disa.lloje, si P. fantastike e novelistike nuk krijohen më dhe kanë humbur gjallërinë e intensitetin e dikurshëm të praktikimit, ndonëse dëgjohen ende me ëndje nga fëmijët. P. humoristike vazhdojnë të bëjnë një jetë të gjallë dhe aktive. P. meqenëse janë krijuar kryesisht në të kaluarën, bartin dhe besime të kota, paragjykime, mendime jo të drejta; por në to shkëlqen mençuria, drejtësia dhe aftësia krijuese popullore, prandaj ruajnë vlera njohëse, edukative dhe artistike. Mbledhja dhe botimi i P. shqiptare ka nisur që në shek.XIX. Botimi më i plotë pas Çlirimit është «Folklor shqiptar — I Proza popullore», vëll.I-IV, Tiranë 1963-1966. Një varg vëllimesh me P. shqiptare janë botuar edhe në Prishtinë.

(J.P.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Përralla


[cite]