PËRRENJASI


PËRRENJASI
✤ Qytet i ri në rrethin e Librazhdit, në VL të fushës së Domosdovës. Popullsia 2455 banorë. Përmendet në historinë e mesjetës për një nga betejat më të ashpra kundër pushtuesve osmanë zhvilluar më 1445, në fushën e Mokrës nga Skënderbeu. P. në 1957, kur u ngrit miniera e Pishkashit u bë qendra e sektorit të kësaj miniere. Një vit më vonë filloi ndërtimi i qytetit të punëtorëve duke marrë emrin e fshatit të Përrenjasit (shih), i cili ndodhet aty afër. Ndër degët kryesore të ekonomisë është ajo e nxjerrjes së mineralit të hekurnikelit. Këtu ushtrojnë veprimtarinë e tyre edhe Ndërmarrja e ndërtimit të minierave, Ofiçina Mekanike, Parku Automobilistik etj. Ka stacion hekurudhor në linjën Elbasan-Guri i Kuq. P. ka shkollë 8-vjeçare, shkollë të mesme të arsimit të përgjithshëm, shkollë profesionale të gjeologjisë e minierave, muze, spital, shtëpi lindjeje, klinikë stomatologjike, poliklinikë, bibliotekë, kinoklubin. Ka rrjet të shërbimit tregtar e komunal.

✤ Fshat në rrethin e Librazhdit, në VP të qytetit të Përrenjasit. Qendër e fshatit të bashkuar që përfshin fshatrat Katjel, Kotodesh, Rrajcë, Rrashtan, Skënderbe, Sutan, Urakë, popullsia gjithsej 10 000 banorë. Në VL të tij ndodhet një vendbanim i vjetër me emrin «Katund-Plak». Kolektivizimi i bujqësisë përfundoi më 1957. P. është qendra e KTL. Drejtimi kryesor i ekonomisë është prodhimi i drithërave të bukës dhe rritja e bagëtive të imëta. P. ka shkollë 8-vjeçare, muze, shtëpi kulture, qendra shëndetësore, njësi të shërbimit tregtar e komunal. Në Rrajcë e Kotodesh ka shkollë të mesme bujqësore.

✤ Fshat në rrethin e Gramshit (P), në kufi me rrethin e Beratit. Qendër e fshatit të bashkuar që përfshin edhe fshatrat: Grekani, Irmanji, ‘Katërlisi, Saraseli, popullsia gjithsej 1610. Dëshmohet si vendbanim i lashtë. Ruhen gërmadhat e një kalaje mesjetare të shek.XIII-XIV, si dhe të një ujësjellësi (shek.XVIII). Këshilli NÇ u ngrit në shtator 1943. P. është qendër e koop. së bashkuar. Ka drejtim kryesor drithërat, duhanin, fasulen dhe rritjen e bagëtive të imëta. P. ka shkollë 8-vjeçare, qendër shëndetësore, shtëpi kulture, muze, njësi tregtare e komunale.

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Përrenjasi


[cite]