PALEOGJENI


PALEOGJENI
✤ Nënperiudha e parë e terciarit, e përfshirë ndërmjet kretakut dhe neogjenit, që ka zgjatur në kohë 39 milionë vjet (nga para 65 milionë deri para 26 milionë vjet) dhe gjatë së cilës janë formuar shkëmbinjtë që përbëjnë nënsistemin paleogjenik. Ndahet në seksionet gjeologjike (epokat) paleocen, eocen dhe oligocen.

Në Albanidet dhe në të tërë trevën mesdhetare gjatë P. klima, në fillim tropikale, filloi dora-dorës të ftohej. Ndodhën ndryshime të mëdha në botën organike. Në stere u zhdukën zvarranikët gjigantë mesozoikë dhe u zhvilluan së tepërmi gjitarët. Dolën brejtësit, insektngrënësit, thundrakët, mishngrënësit dhe sidomos primatët. Në det u zhdukën amonitët, rudistët dhe u zhvilluan shumë lloje butakësh si dhe foraminiferesh, sidomos të mëdhenj, ndërmjet të cilëve spikasin numulitet si organizma tipike të P. Në botën bimore mbizotëruan bimët farëveshura. Gjatë P. ndodhën lëvizje të mëdha tektonike, që i detyroheshin afrimit të pllakës afrikane me atë evropiane dhe që i dhanë shkas fillimit të krijimit të vargjeve të rrudhosura alpine mesdhetare, duke përfshirë këtu edhe Albanidet. Si pasojë e këtyre lëvizjeve, dolën mbi ujë sektorë të gjerë të Albanideve të brendshme, që ushqyen formimin e flishit në trevën detare pranë vargjeve malore të ngritura rishtas, ndërsa larg tyre vazhdoi formimi i shkëmbinjve gëlqerorë. Në faza të mëvonshme të ciklit malformues alpin lëvizjet tektonike ngritëse përfshinë pjesërisht edhe Albanidet e jashtme. Ndërkohë në gjiret e detit, që zinin pjesë të Albanideve të brendshme, u formuan shtresnaja shkëmbinjsh të molasës, herë-herë qymyrmbajtëse. Gjatë P. në Albanidet ka ndodhur edhe formimi i shtratimeve të naftës e gazit në gëlqerorët, i shtresnajave qymyrmbajtëse, i gëlqerorëve të fortë pllakorë që përdoren gjerësisht në ndërtim, i boksitit, i xeherorëve silikate të nikelit eti.

(A.P.—H.She.1

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Paleogjeni


[cite]