PALEOCENI


PALEOCENI
✤ Epoka e parë e periudhës paleogjenike, e përfshirë ndërmjet kretakut dhe eocenit, që ka zgjatur në kohë rreth 7 milionë vjet (nga para 65 milionë deri para 58 milionë vjet) dhe gjatë së cilës janë formuar shkëmbinjtë që përbëjnë seksionin paleocenik. Ndahet në katet (shekujt gjeologjikë) danian, montian dhe tanetian. Në Shqipëri, si dhe në tërë trevën mesdhetare gjatë P. klima ishte tropikale. Në botën shtazore ndodhën ndryshime të mëdha: u zhdukën zvarranikët gjigantë në stere dhe lloje butakësh si amonitet, rudistët etj. dhe foraminiferësh si orbitolinat, globotorunkanat etj. Në fillim të P. ndodhën edhe lëvizje të mëdha tektonike ngritëse, që sollën një prapavajtje të përgjithshme të detit në trevën mesdhetare. Këto lëvizje prekën edhe Albanidet dhe sollën dalje mbi ujë të sektorëve të veçantë të tyre, veçanërisht të zonës së Krujës, në të cilët u krijuan kushte për formim të boksitit. Po gjatë kësaj epoke deti pushtoi rishtas sektorë të dalë mbi ujë të Albanideve të jashtme dhe në të u formua një shtresnajë gëlqerorësh. Ndërkohë në trevën e Alpeve Shqiptare, në atë të Krastë-Cukalit dhe në buzinën e Albanideve të brendshme filloi depozitimi i flishit.

(L.P.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Paleoceni


[cite]