PANARITI


PANARITI
✤ Fshat në rrethin e Korçës (JP), në rrëzë të malit të Ostrovicës. Ka tradita patriotike, ka dhënë 28 dëshmorë gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare. Nga P. rrjedh familja e patriotit Qamil Panariti (shih). Gjatë Luftës I Botërore këtu u masakruan 300 fshatarë nga shovinistët grekë. Banorët e P. kanë marrë pjesë gjallërisht në Luftën ANÇ. Këshilli NÇ u ngrit më 10.10.1942. Më 1.1.1943 u formua çeta e fshatit, e cila më 10.7.1943 së bashku me atë të Vithkuqit formuan BP «.Qamil Panariti». Në fillim të v. 1944 e deri në prill ka qëndruar këtu Shtabi i Përgjithshëm i UNÇ dhe është zhvilluar kursi i parë teorik i Partisë me kuadrot e Ushtrisë NÇ dhe me ata të terrenit, që u drejtua nga sh. Enver Hoxha. Gjatë Operaeionit të Qershorit të 1944 fshati u dogj nga nazistët gjermanë. P. është dekoruar me Urdhrin e Flamurit dhe me medalje të ndryshme. Kolektivizimi i bujqësisë u bë në vitin 1964. Drejtimi kryesor i ekonomisë është rritja e dhenve dhe prodhimi i grurit. P. ka shkollë 8-vjeçare, spital, njësi tregtare e komunale.

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Panariti


[cite]