PARIDI DHE FESTAT E TROJËS
Pas vizitës së Hermesit dhe të tri perëndeshave, Enona dhe Paridi, vazhduan të jetonin së bashku si më parë. Mirëpo Paridi s’ishte më ai i pari. Kishte marrë vesh nga perëndeshat se prindërit e tij s’ishin Agelau me të shoqen, po Priami, mbreti i Trojës, dhe mbretëresha Hekubë. Tani shumë mendime të reja shkrepnin në kokën e tij. Mendonte kështu: «Kur jam bir mbreti, pse të rri këtu të kullos dhentë?»
Një ditë prej ditësh u përhap fjala midis barinjve se Priami mbreti i Trojës, po përgatiste një festë me gara kërcimi, vrapimi dhe mundjeje, dhe gjithë të rinjtë që do të paraqiteshin mund të merrnin pjesë në këto gara. Paridit i shkrepi aty për aty të shkonte në Trojë.
— Unë që jam djali i Priamit, pse të mos ia tregoj guximin tim eti? Pse të rri këtu të kullos dhentë, ndërsa të rinjtë e tjerë të matin forcat e tyre? Do të shkoj të marr pjesë në lojërat. Do të shkoj patjetër. Po të fitoj, ke për të parë, Enonë, se ç’dhurata të bukura do të të sjell!
— Po të fitosh, — tha Enona me trishtim, — po të fitosh, do të më harrosh dhe nuk do të kthehesh për një kohë shumë të gjatë në malin Ida. Do të rrish në Trojë, në pallatin e babait tënd. Pastaj do të nisesh për në Heladë, do të shkosh në Spartë, do të takosh Helenën, gruan më të bukur të botës, dhe do t’ia rrëmbesh të shoqit.
— Nga i di ti tërë këto? — pyeti Paridi i mahnitur.
— Unë i di gjërat para se të ndodhin. E di se ti do të shkosh në Spartë, do të rrëmbesh Helenën dhe Troja do të digjet.
— Nuk do të shkoj kurrë në Spartë, por në Trojë do të vete. Dua të di në ka ndonjë njeri më të fortë se unë, dua t’i mund princat, dua të njoh babanë dhe nënën, si dhe vëllezërit e mi.
— Mos shko! — iu lut Enona. — Po ta dije ç’të keqe do t’i bëje tët ati, nënës dhe vëllezërve të tu, do të qëndroje këtu pa dyshim! Veç kësaj, jeta në pallatin e mbretit është tepër e rehatshme. Këtu je i fortë, atje do të bëhesh i plogët. Do të mundësh princat, por do të humbasësh forcën.
Paridi nuk u besoi fjalëve të Enonës, s’ia vuri veshin asaj, por u nis të shkonte në festat e Trojës.
Kësodore, Enona mbeti vetëm në malin Ida dhe qau, sepse e dinte që Paridi do ta humbiste vendosmërinë dhe nuk do ta mposhtte dot dëshirën për t’u nisur në Heladë. Pyjet, që e donin fort, përpiqeshin ta ngushëllonin me hijet e freskëta dhe me fëshfërimën e gjetheve, kurse luadhet përpiqeshin ta gëzonin duke çelur për të lulet më të bukura. Mirëpo Enona nuk e dëgjonte fëshfërimën e gjetheve dhe nuk i sodiste lulet. Ajo qante.
— A u kthye Paridi tek ajo? — pyeti Leoja.
— U kthye, po pas shumë vjetësh. U plagos nga një shigjetë e helmatisur dhe e dinte se vetëm Enona mund ta shëronte. U zvarrit gjer te mali Ida dhe pa luadhet e pyjet, që i sollën ndër mend atë kohë të largët e të lumtur, kur kishte qenë bari i thjeshtë. Po me të arritur tek ahu i lashtë, u rrëzua përdhe i këputur dhe s’e vazhdoi dot rrugën më tej. Dërgoi një shok të thërriste Enonën. Kur ajo mbërriti te Paridi, ishte tepër vonë. Ai dergjej i vdekur midis luleshqerrave dhe manushaqeve, në hijen e ahut, mikut të lashtë.
Po kjo ndodhi pas shumë vjetësh. Le të kthehemi në festat e Trojës. Priami kishte lajmëruar se kush të donte mund të merrte pjesë në lojërat dhe njerëzit niseshin nga të gjitha anët; vinin, nga afër a nga larg, të rinjtë më të fortë. Shumë syresh ishin të panjohur, po kishte dhe nga ata që kishin fituar tjetër herë dhe njerëzit i njihnin e u thërritnin me emër. Dihej se në lojërat do të merrte pjesë ndonjë nga djemtë e mbretit, se çmimet do të ishin të mëdha e të shumta. Dhe të gjithë donin të bënin sehir, të gjithë donin të fitonin.
Paridi ecte së toku me të tjerët dhe arriti bashkë me ta në një shesh shumë të madh, rrotull të cilit ishin ndërtuar shumë lozha me karrige prej druri. Në lozhën e mesit, të stolisur me lule, rrinte Priami dhe Hekuba, rrethuar nga një mori djemsh e vajzash. Në anën ku ndodhej Paridi nuk kishte ndenjëse, po njerëzit rrinin më këmbë, kuvendonin, vështronin bijtë e Priamit, i soditnin dhe pyetnin për emrat e tyre.
— Cili është ai djaloshi shtatmadh, që rri më këmbë pranë Priamit?
— Është i biri, Hektori, zbutësi i kuajve. Është luftëtari më i fuqishëm i Trojës.
— Po ai burri i thyer në moshë, po shumë i pashëm, që rri pranë Hekubës?
— Ai është Ankizi, kushëri i Priamit. Në të ri ruante buajt e kopesë së vet.
— E kam dëgjuar. Thonë se djali i tij, Eneu, është biri i Afërditës. Ja Eneu! Është ai që ka kthyer kokën dhe po flet me Hektorin.
— Sa i bukur qenka! Do të jetë vërtet djalë i perëndeshës së bukurisë.
— Pushoni, pushoni! Ja të rinjtë që po paraqiten për garën e parë.
Shumë të rinj po përgatiteshin vërtet për garën e parë, që ishte gara e vrapimit.
Dolën përpara dy djem të Priamit, pastaj një vrapues i dëgjuar, pastaj disa të rinj të tjerë pak a shumë të njohur; i fundit fare vinte Paridi, i cili u bashkua me të tjerët. Ai mbante një tunikë të errët prej leshi të trashë, që dukej si një njollë e zezë midis tunikave të bukura, të bardha dhe elegante të të rinjve të tjerë. Dhe njerëzit thoshin: -«Cili është ky djalë që ka guxim të vihet në garë me princat? Do të arrijë i fundit, keni për të parë, dhe nuk do t’ia ketë më ënda të marrë pjesë në lojërat e Trojës!»
Po kur të rinjtë hoqën tunikat dhe u paraqitën për vrapim, të zhveshur dhe të lyer me vaj…
— Pse të lyer me vaj? — pyeti Lia.
— Sepse në ato kohë, në garat e vrapimit dhe të mundjes, meqë donin të shkëputeshin më lehtë nga duart e kundërshtarit e të ishin më të shkathët, atletët e lyenin trupin me vaj. Pra, kur të rinjtë u paraqitën, dikush tha: «Tani që është i zhveshur, s’duket i shëmtuar ky djalosh! Të shohim ç’do të bëjë!»
U dha sinjali. Vrapuesit u lëshuan si shigjeta. Në fillim formonin një grup. Pastaj disa zunë të turreshin përpara, të tjerët mbetën prapa. Në mbarim të rrotullimit të parë, Paridi mori një vrap, kaloi si vetëtimë një grup vrapuesish dhe u vu në garë me më të shpejtët. Ja, njërit prej tyre iu morën këmbët dhe u rrëzua, një tjetër u pengua mbi të, e humbi drejtpeshimin e u rrokullis edhe ai në pluhur. Të tjerët nuk e ngadalësuan vrapin, por u turrën me vrull edhe më të madh. Kishin mbetur vetëm tre veta që mund të shpresonin për të fituar: Troili, njëri nga bijtë e Priamit, Palinuri dhe Paridi; që të tre dukeshin si tri dallëndyshe që fluturojnë duke çikur tokën pa e prekur.
— Po, kur fluturojnë poshtë, poshtë, para se të bjerë shi, — tha Lia. Por e ëma vazhdoi:
— Përnjëherë, në mes të heshtjes së thellë që mbretëronte në gjirin e turmës, që po priste me ankth, Paridi i kaloi dy të tjerët, arriti pikën e caktuar e u shpall fitues. U dëgjua një murmurimë te sheshi, pastaj shpërthyen duartrokitje dhe brohoritje të stuhishme.
— Urra! urra!
— Kush është? Si e quajnë?
— Është ai që erdhi i veshur si bari!
— Rroftë, rroftë bariu!
— Si e quajnë?
— Kush e njeh?
— Duam të dimë emrin e tij!
Midis duartrokitjeve dhe brohoritjeve, Paridin e shpunë te Priami, i cili i dha çmimin: një kalë të zi shumë të bukur, me takëm të punuar me ar dhe argjend.
— Cili je ti? — e pyeti Priami Paridin, pasi i dha çmimin.
Do të ta them kur të mbarojnë lojërat; para se të marrësh vesh cili jam, duhet të shohësh se ç’di të bëj. — Dhe shkoi të bëhej gati për garën e dytë.
Tani ishte radha për të hedhur diskun: ky ishte një lloj fuge e madhe prej guri a prej metali. Lojtarët e merrnin diskun në dorë njëri pas tjetrit dhe e hidhnin sa më larg që të mundnin; dhe kur goditnin në shenjë, turma thërriste: «Të lumtë!» Tani të gjithë ishin kureshtarë të dinin si do ta hidhte i panjohuri.
Paridi ishte i fundit. Turma s’bënte zë, vështronte me sytë katër. Paridi kapi diskun dhe e vërtiti në ajër me dorën e tij të fuqishme. Disku prej guri i kaloi tërë disqet e tjerë dhe u ndal aq larg, sa s’e hante syri. Përsëri turma brohoriti për fituesin dhe kërkoi të merrte vesh emrin e tij. Paridin e shpunë për të dytën herë përpara Priamit, i cili i dha një çmim tjetër: një përkrenare prej çeliku me pendë të arta dhe një heshtë.
Pastaj i tha: — O i panjohur, ma thuaj emrin tënd, sepse e pashë sa i zoti qenke!
Mirëpo Paridi iu përgjigj.
— Nuk i ke parë ende të gjitha. Si të bëhet edhe prova e kërcimit, atëherë do të ta them emrin.
Paridi fshiu djersët, u la, u lye me vaj dhe u bë gati për kërcim. Kishin ardhur në festën e Trojës kërcimtarët më të mirë të të gjitha vendeve fqinje. Njëri pas tjetrit filluan kërcimet. Turma thërriste e brohoriste për kërcimtarët më të mirë, po të gjithë ishin kureshtarë të shihnin se si do të kërcente i panjohuri.
Paridi bëri një kërcim të mrekullueshëm aq lart, si të kishte flatra. I mundi gjithë të tjerët dhe mes duartrokitjeve e shpunë për herë të tretë përpara Priamit. Ai i dha edhe një çmim: një hark prej kocke dhe një kukure plot me shigjeta. Pastaj e pyeti për të tretën herë:
— Cili je ti, o djalosh? Si të quajnë?
Atëherë Paridi hapi një bohçe që e kishte sjellë me vete. Aty brenda ishin pelenat dhe batanijet që Hekuba i kishte vënë në kanistër bashkë me foshnjën e saj, para se ta dërgonte larg, që të vdiste në pyll. Dhe tha:
— O mbret i Trojës, i shkëlqyeri Priam, o mbretëreshë e Trojës, e nderuara Hekubë, unë jam Paridi, biri juaj.
Tellallët, që rrinin pranë mbretit, i thirrën turmës:
— Fituesi i lojërave është Paridi, biri i Priamit!
Aty për aty nga gjiri i turmës shpërtheu një britmë e hareshme: — Rroftë Paridi, biri i Priamit! — Dhe Hekuba përqafoi duke qarë birin e saj, të cilin e dinte të vdekur.
— Pse duke qarë? — pyeti Lia.
— Sepse ishte e lumtur: qante nga gëzimi.
— Po ajo e kishte hequr nga shtëpia, kur ai kishte qenë kërthi! — tha Leoja.
— Nuk të kujtohet se atëherë ajo ishte bërë pikë e vrer?
— Mirëpo tani s’duhej të ishte e kënaqur, sepse do të digjej Troja.
— Këtë as që e mendonte më; ndoshta e kishte harruar. E vërteta është se Paridi mbeti në Trojë dhe shkoi të banonte me t’anë e me t’ëmën, me të vëllezërit e me të motrat. Jeta e tij e re i dukej si një ëndërr. I bëhej sikur ishte në Olimp, në shtëpinë e zotave. S’kishte parë kurrë një pallat si ai dhe gjëra aq të bukura, djem aq të pashëm dhe vajza të hijshme të veshura aq bukur. I silleshin me dashamirësi si njeriut të tyre, dhe Paridit i dukej se ishte tjetër njeri, ashtu i veshur si princ dhe i trajtuar si princ! Kasollja e Agelaut, Enona, dhentë dhe luadhet i dukeshin shumë të largëta; nuk i mendonte pothuaj fare.
Fundja, ç’ishte Enona? Një bareshë.. Po të vinte në pallatin e mbretit, ajo do të mbetej e hutuar dhe do të linte përshtypje të keqe. Veç kësaj, asaj i pëlqenin pyjet e edhe sikur ta thërriste aty, ajo nuk do të vinte në Trojë, në pallatin e mbretit. Po as Paridi nuk mund të kthehej në malin Ida dhe të linte nënë e babë, vëllezër e motra!
Kështu mendonte Paridi, që të bindte veten se ishte e udhës të qëndronte në Trojë, të mos kthehej tek Enona dhe të mos e thërriste të vinte të jetonin bashkë. Ndërsa Enona, e vetmuar në malin Ida, qante e pangushëlluar.
— A mori fund historia e Paridit? — pyeti Leoja, pasi u hidhërua pakëz për Enonën.
— Jo, nuk ka marrë fund. Po tani vazhdon një tjetër histori: historia e Paridit dhe e Hesionës, motrës së Priamit, ajo, të cilën e shpëtoi Herakli nga përbindëshi dhe e martoi me Telamonin,. mbretin e Salaminës.
— Do të na e tregosh atë historinë tjetër?
— Sot jo, ndonjë ditë tjetër.

 

[cite]