SI U KTHYE AKILI NË LUFTË
Patrokli u vra, po beteja vazhdonte e ashpër përreth trupit të tij, të cilin Hektori donte t’a rrëmbente, por që e mbronin Ajaksi, dhe Menelau. Menelaut ende s’i ishte shëruar mirë plaga, por ai megjithatë qe sulur të shpëtonte trupin e Patroklit; dhe ndërsa luftonte për ta shkëputur nga armiku i tërbuar, i thirri Antilokut, njërit prej luf tëtarëve:
— Antilok, Patrokli, miku i Akilit u vra dhe ne të gjithë jemi shumë të hidhëruar. Shko me vrap tek Akili, i thuaj se Hektori ka përvetësuar armët e tij e se ne po përpiqemi të shpëtojmë trupin e Patroklit. Shko, Antilok.
Kështu foli Menelau dhe Antiloku u nis drejt anijeve të Akilit. E gjeti heroin të trishtuar, fill vetëm.
— Medet, o bir i Peleut, — tha Antiloku, — duhet të të njoftoj një lajm shumë të hidhur! Patrokli u vra. Hektori ka përvetësuar armët e tua dhe Ajaksi me Menelaun po luftojnë si luanë për të shpëtuar trupin e mikut tënd.
Këto tha Antiloku dhe Akilin e pllakosi një hidhërim i thellë, u lëshua përdhe e u rrokullis në pluhur duke qarë e duke ulërirë.
— Si një foshnjë, — tha Leoja.
— Të vjetrit nuk e duronin hidhërimin pa qarë, madje ata më të fortët ulërinin më shumë se të tjerët. Edhe Akili qante, merrte që përdhe grushte me pluhur, i hidhte në kokë, e në fytyrë në rrobat dhe shkulte flokët. Akili, pra, po ulërinte i dëshpëruar dhe ulërinte aq fort, sa e ëma, Teti, e dëgjoi që në fund të detit Teti, perëndesha e detit, rrinte me të pesëdhjetë motrat e saj në një shpellë të bardhë e të ndritur, që dukej si prej akulli, e tëra e stolisur me margaritarë dhe diamantë. Në shpellën e ndritur dëgjoi vajtimin e të birit, i la shoqet, u ngjit mbi faqen e ujit, fluturoi mbi breg dhe vrapoi tek i biri.
— O bir, pse qan? Ç’hidhërim ke në zemër?
— Nënë, miku im më i dashur, Patrokli, vdiq. E vrau Hektori dhe e zhveshi nga ato armët e bukura, që zotat ia dhuruan Peleut kur u martua me ty. Dhe unë s’dua. më të rroj, s’dua të jetoj më midis njerëzve, dua vetëm që Hektori të vdesë, i goditur nga heshta ime: të vdesë Hektori, vrasësi i shokut tim!
Teti i tha Akilit duke qarë:
— O bir, po më copëton zemrën me këto fjalët e tua. Mos e vrit Hektorin! Se kjo do të thotë të vrasësh veten
tënde, sepse është e thënë që ti të vdesësh pak kohë pas vdekjes së Hektorit. Lëre gjallë Hektorin, që të rrosh edhe ti, o bir!
Po Akili qau me të madhe.
— Le të vdes menjëherë. Dëshirofshin zotat që njerëzit të mos zihen e të mos zemërohen më midis tyre. Në qoftë se Agamemnoni dhe unë do të kishim mbetur miq, Patrokli nuk do të ishte vrarë! Do të kisha qenë pranë tij në çastin e rrezikut dhe do ta kisha shpëtuar! Po tani është tepër vonë; s’mund të bëj asgjë tjetër veçse të vras atë që e ka vrarë. Hektori më ka rrëmbyer parzmoren dhe armët, po më ka mbetur heshta: dhe ai s’mund t’i shpëtojë heshtës sime.
— Si mund të luftosh, o bir? — tha Teti. — Prit gjer nesër, se nesër do të të përgatit një takëm të plotë, shumë të bukur, që do ta bëjë për ty Hefesti, perëndia e zjarrit.
Akili i dha fjalën se do të priste dhe Teti shkoi fluturimthi në Olimp e iu lut Hefestit, perëndisë së zjarrit, që të bënte një takëm të ri armësh për Akilin: një përkrenare, një mburojë, një parzmore, një heshtë, një shpatë dhe një palë kollçikë.
Hefesti perëndia — farkëtar, iu përvesh punës aty për aty. Shkoi në punishte, i vuri në zjarr gjyrykët dhe u dha urdhër t’i frynin. U frynë tërë gjyrykëve në njëzet furra dhe Hefesti hidhte në zjarr bakrin, kallajin; arin dhe argjendin, që të shkriheshin dhe t’i përdornin për armët.
Pastaj përgatiti një kudhër të madhe, mori në dorë një çekan dhe një mengene; hoqi nga zjarri arin, argjendin, bakrin e kallajin dhe së pari bëri një mburojë të madhe e të fortë, të ndritshme e të bukur. Në mburojë dukej toka dhe qielli, dielli, hëna dhe yjet: të gjitha ishin të punuara me ar dhe argjend. Dukeshin dhe dy qytete: njëri në paqe dhe tjetri në luftë. Njëri banohej prej qytetarësh që shëtitnin nëpër rrugë duke folur me dashamirësi midis tyre, tjetri ishte plot ushtarë që luftonin me tërbim. Te mburoja të zinte syri dhe fusha të praruara me grurë, vreshta plot vile, bërë prej bakri, me kositës dhe vjelës që kositnin grurin dhe vilnin rrushin: në njërën anë kulloste një grigjë lopësh dhe qesh prej floriri dhe prej kallaji, në anën tjetër shumë vajza prej floriri e prej argjendi dridhnin vallen të zëna për dore. Dhe rreth e qark, afër buzës së mburojës, vezullonte një det i mrekullueshëm prej argjendi.
Me të mbaruar mburojën, Hefesti bëri parzmoren, pastaj helmetën e ndritur, të punuar mirë, që kishte në majë ca pupla prej fijesh ari, pastaj dy kollçikë të stolisur me argjend. Kështu e plotësoi takëmin e armëve dhe ia dorëzoi nënës së Akilit. Teti e falënderoi zotin — farkëtar dhe fluturoi nga Olimpi, e shpejtë si një petrit, duke marrë me vete armët e bukura e të shndritshme.
E gjeti Akilin tek po qante me dëshpërim pranë trupit të Patroklit, të cilin e kishin larë dhe mbuluar me një vel të bardhë. Do ta kishin pasur vështirë ta shtinin në dorë trupin, se trimëria e Ajaksit dhe e Menelaut s’do të kishte mjaftuar; por Akili ishte shfaqur përpara armiqve e, me ta parë dhe me të dëgjuar zërin e tij, trojanët kishin ikur të tmerruar. Tani Akili rrinte përdhe pranë mikut të vrarë, i fliste, i premtonte armët e Hektorit, qante i pikëlluar. Kur e pa që po qante, Teti e kapi për dore, i tregoi armët e skalitura, të bukura e vezulluese. Akilit, me t’i parë, iu ndez dëshira për të luftuar.
— Nënë, këto armë duhet t’i ketë bërë pa dyshim ndonjë perëndi, se asnjeri s’mund t’i bënte kaq të bukura, dhe unë do të armatosem me to që të shkoj të luftoj.
Mblidhi helenët, bir, dhe pajtohu me Agamemnonin, para se të nisesh kundër trojanëve.
Kështu foli Teti, perëndesha këmbargjendë.
Ndërkaq, Akili shkoi buzë detit, iu afrua anijeve të akejve, thirri me zë bubullitës dhe akejtë u derdhën nga të gjitha anët rreth tij. Vinin ngado luftëtarët dhe prijësit, vinin gjithë ata që mundnin, erdhën edhe Diomedi me Odiseun, duke çaluar, sepse nuk ishin shëruar ende; erdhi edhe Agamemnoni, po ky u duk i fundit, se s’i kishin pushuar dhembjet e plagës. Si u mblodhën luftëtarët dhe prijësit, Akili u ngrit dhe tha:
— Agamemnon, bir i Atreut, do të kishte qenë më mirë sikur ti dhe unë të mos ishim grindur, se janë vrarë shumë akej për shkakun tonë dhe trojanët kanë përfituar shumë në këtë mes. Po tani i kam harruar të gjitha, më shkoi zemërimi dhe po kthehem të luftoj: të vërsulemi së bashku kundër trojanëve!
Kështu foli Akili dhe të gjithë brohoritën nga gëzimi, kur dëgjuan se heroi i fuqishëm ia kishte falur Agamemnonit, i cili u gëzua gjithashtu. Dhe tha:
— Isha si i çmendur e si i verbër, Akil, kur të rrëmbeva Brizeidën! Po fajin nuk e kisha unë, e kishin zotat që më kishin verbuar. Më lejo të të shpërblej, e jo vetëm të të kthej Brizeidën, po të të jap edhe sendet më të bukura që gjenden në shatorret e mia.
— Bëj si të duash; ma kthen s’ma kthen Brizeidën, s’ka rëndësi! Kryesorja është të shkojmë të luftojmë.
Kështu foli Akili, i cili kishte dëshirë të zjarrtë të ndodhej ballë për ballë Hektorit. Po Agamemnoni ia ktheu Brizeidën dhe ata u pajtuan dhe helenët e festuan këtë ngjarje me një gosti.
Luftëtarët dhe komandantët hanin e pinin të gëzuar që të merrnin fuqi për betejën e ardhme. Vetëm Akili s’vuri gjë në gojë. U kthye pranë trupit të shokut dhe qau. Akili as hëngri as piu, po Paladë Atena, që e desh, zbriti nga qielli dhe i zbrazi në kraharor nektar dhe ambroz — verën dhe bukën e perëndive — që të luftonte me forcë të pashoqe.
Tani të gjithë ishin të gëzuar në kampin e akejve, ku po bëheshin gati për të luftuar plot guxim.

[cite]