PARIDI DHE HESIONA
Paridi jetonte në Trojë në pallatin e babait të tij, Priamit. Të gjithë e donin, të gjithë e ngrinin në qiell bukurinë dhe forcën e tij e, kur kalonte rrugës, njerëzit ndaleshin për ta soditur.
Në fillim, merret vesh, ai nuk sillej ashtu si duhej. Nuk i dinte rregullat e mirësjelljes si vëllezërit dhe motrat e tij. Hante keq…
— Gojëhapur? — pyeti Lea, e cila e kishte shumë vështirë të hante gojëmbyllur.
— Vë bast se e zinte me dorë mishin, — tha Leoja.
— Ç’është e vërteta, në kohën e Paridit, edhe mbretërit e zinin me dorë mishin. Si mund të bënin ndryshe? Nuk kishin pirunë, sepse nuk ishin shpikur ende, dhe njerëzit hanin me duar.
Paridi po mësonte pak nga pak të sillej më mirë dhe, në qoftë se më parë s’kishte bërë gjë tjetër përveçse kishte kullotur dhentë, tani stërvitej të përdorte heshtën dhe shpatën. Në qoftë se në fillim kishte pasur për mësues plakun Agela, tani njerëzit më të fuqishëm e më të ditur të Trojës kishin kënaqësi të madhe t’i mësonin çdo gjë.
Si iu mbush mendja Priamit se i biri i kishte mësuar të gjitha ato që duhej, e thirri dhe i tha:
— Parid Aleksandër, ti je i zoti i gojës, di të përdorësh armët dhe t’i hipësh kalit. Erdhi koha të bësh diçka.
Parid Aleksandri u përgjigj:
— Urdhëromë, dhe unë do të të bindem.
— Ti e di se këtu e disa vjet më parë, Herakli i shpalli luftë Trojës, vrau Laomedontin, babanë tim, rrëmbeu me dhunë Hesionën, motrën time, e ia dha për grua Telamonit, mbretit të Salaminës.
— E di, Priam i shkëlqyer, — u përgjigj Paridi.
— Herakli vdiq, po Telamoni është gjallë. Shko, pra, nisu për në Salaminë dhe kërkoji mbretit të më japë motrën, Hesionën. Nisu! Fjalët dhe veprat e tua duhet t’i kenë hije një princi.
Paridi u bind. Bëri gati anijet më të mira, armët më të mrekullueshme, rrobat më të bukura. Ngarkoi në anijet miell, verë dhe mish sa deshi, si dhe armët e rrobat. Pastaj u nis për në ishullin e Salaminës.
Lundroi nëpër detin Egje tërë ishuj të lulëzuar dhe mbërriti në Salaminë. Gjatë udhëtimit, anijet u ndalën shumë herë për të marrë ujë dhe, ndërsa mbushnin vozat nëpër burimet e kulluara, lundërtarët dhe princi dëgjuan shumë herë të flitej për një grua shumë të bukur, e cila ishte e shoqja e Menelaut, mbretit të Spartës, dhe që quhej Helenë. Kush e kishte parë Helenën, thoshte se në tërë botën s’kishte grua më të bukur. Kush s’e kishte parë, dëshironte të shkonte në Spartë që të sodiste bukurinë e saj. Paridi i dëgjonte këto lëvdime dhe sillte në mend premtimin e Afërditës.
Me të arritur në ishullin e Salaminës, Parid Aleksandri zbriti në stere dhe në radhë të parë deshi të vizitonte tempullin e Afërditës, të kësaj perëndeshe që e kishte zgjedhur si më të bukurën, në kohën kur ishte bari dhe ruante dhentë në malin Ida. Mori rrugën drejt tempullit dhe, tek po ecte, dëgjoi një muzikë. Një djalosh flokëverdhë këndonte i shoqëruar nga një lirë. Ky ishte një poet këngëtar, një aed, siç i quanin grekët e vjetër.
— Si the? — pyeti Leoja.
— Aed. Aedët ishin poetë dhe muzikantë njëherësh dhe shkonin qytet më qytet duke ia marrë këngës e duke i rënë lirës. Ata këndonin melodi të bukura. Këndonin historitë e bukura të zotave e të kreshnikëve dhe të gjithë i pritnin me gaz, të gjithë i donin dhe i nderonin.
Paridi, pra, po ecte buzë detit për të vajtur te tempulli i Afërditës, kur dëgjoi një aed që po këndonte. Aedi këndonte kështu:
— Kush nuk e ka parë Helenën, bijën e Zeusit, mbretëreshën e Spartës? Kush s’është mahnitur pas Helenës, më hyjnorja midis gjithë grave? Kush s’ka parë Helenën, s’di ç’është bukuria. Helena me sytë e kaltër si deti, Helena me flokët ngjyrë flake është baras me perëndeshat e pavdekshme! Zemra e saj është plot ëmbëlsi dhe shpirti i saj shkëlqen si dielli.
Paridi hyri në tempullin e Afërditës dhe i shpuri dhurata perëndeshës: një kec të bardhë dhe dy pëllumba të bardhë të stolisur me kurora trëndafilash. Lëshoi dhuratat mbi altar, doli nga tempulli dhe u nis për në pallatin e Telamonit.
— O Telamon, mbret i Salaminës, unë jam Parid Aleksandri, biri i Priamit. Kam ardhur te ti i dërguar nga Priami, mbret i Trojës.
— Ç’kërkon prej meje mbreti i Trojës? — pyeti Telamoni, që kishte pranë Hesionën.
— Ti e di se Hesionën, motrën e Priamit, e rrëmbeu Herakli dhe ta dha ty për grua. Po Priami nuk mori si këmbim as ar, as argjend, as rroba të qëndisura. Ktheja Hesionën Priamit, o, në mos daç ta bësh këtë, më jep në vend të saj ar dhe argjend dhe rroba të qëndisura, që t’i shpie në Trojë dhe ta kënaq tim atë.
Mirëpo Telamoni nuk pranoi t’i jepte Paridit ato që kërkonte dhe i tha:;
— Ti je shumë i ri, o Parid, dhe ndoshta nuk e di se si ndodhi. Hesionën, gruan time të dashur, ma dha Herakli dhe Herakli mund të ma jepte fare mirë, sepse e kishte fituar në luftë. S’ta kanë thënë këtë? Laomedonti, babai i babait tënd, i kishte dhënë fjalën Heraklit se do t’i jepte kuajt që ishin dhuratë e Zeusit, në qoftë se Herakli do ta shpëtonte Hesionën. Pa pastaj i doli fjale dhe Herakli bëri luftë kundër Trojës, vrau Laomedontin, mori Hesionën, siç i takonte me të drejtë, dhe do ta kishte bërë skllave, po të mos e kisha kërkuar unë për grua. Nuk i kam borxh asgjë Priamit, o princ i ri, dhe nuk do të të jap asgjë. Shko dhe jepja përgjigjen time babait tënd, mbretit të Trojës.
Parid Aleksandri deshi të përgjigjej, mirëpo atë çast u ngrit Hesiona dhe tha me zërin e saj të ëmbël:
— O Parid Aleksandër, bir i vëllait tim, mos ngul këmbë në ato që kërkon. Priami dhe unë ishim robër lufte dhe fati ynë mund të kishte qenë shumë i rëndë. Mirëpo Telamoni më kërkoi për grua, më bëri mbretëreshë dhe munda të liroja një nga robërit e luftës, Priamin, vëllanë tim. Priami s’ka të drejtë t’i kërkojë gjë Telamonit. Shko, o princ i ri e i bukur, dhe thuaji Priamit se e motra e do siç e ka dashur më parë.
Parid Aleksandri iku nga pallati mbretëror dhe u kthye buzë detit, ku e pritnin lundërtarët. Buzë detit vazhdonte të këndonte aedi i shoqëruar me lirë. Ai këndonte kështu:
— Kush nuk e ka parë Helenën me bukuri të mahnitshme? Helenën me buzëqeshjen e ëmbël, Helenën me velin e gjatë? Ajo duket si hëna që ndrin në qiell midis yjeve. Helenë, me flokët si rreze dielli, Helenë, me sytë e kaltër si deti, je tamam si ato perëndeshat e pavdekshme!
Paridi hipi në anijen më të madhe dhe u tha shokëve:
— Duhet të nisemi. Zgjidhni litarët dhe ngrini velat.
Shokët iu bindën urdhrit dhe zgjidhën litarët që lidhnin anijet pas bregut, ngritën direkun dhe me ca rripa të fortë prej lëkure demi hapën velat e bardha. Një puhizë e lehtë i gufoi velat. ndërsa ujërat e kaltra murmuritnin këngën e detit. Dielli shkëlqente lart në qiell, valët shkonin e vinin nën lugatat dhe ndrinin e shkëlqenin si argjend i kulluar e si ar.
— Drejt çfarë brigjesh t’i kthejmë anijet me vela të bardha? Jep urdhër, o bir i Priamit!
— Kthejini anijet drejt brigjeve të Heladës! Duhet të zbarkojmë buzë Lakonisë, në Spartë, ku është mbret Menelau dhe mbretëreshë Helena.
Lundërtarët filluan t’i punonin lugatat më fort dhe era i shtynte me shpejtësi mbi valët e qeta anijet që ishin nisur për në Lakoni.
Ndërsa anijet çajnë valët e detit për të shpënë te Helena trojanët dhe Paridin, unë do t’ju tregoj një histori tjetër.
[cite]