— Agamemnoni dhe Menelau po rrinin pranë zjarrit bashkë-me familjen e bariut, e unë jam e sigurt se ata s’kishin parë kurrë në jetën e tyfe një flakë kaq të bukur. Menelau nuk fliste; ishte shumë i kënaqur që po çlodhej dhe po ngrohej. Mirëpo Agamemnoni, që mendonte për të ardhmen, e pyeti bariun, të zotin e shtëpisë:
— Nuk më thua, o bari i mirë, a e di rrugën që të çon në Spartë?
— E di, si s’e di. Kam qenë shumë herë në Spartë, ku kam shitur djathin që e bëj me qumështin e deleve të mia. Sparta është qytet i bukur dhe i fuqishëm. Është e rrethuar me male nga të gjitha anët.
— A duhen shumë ditë rrugë për të arritur gjer atje? Dhe, a mund të na tregosh, o bari i mirë, rrugën që duhet të marrim?
— Do t’jua tregoj me gjithë qejf, — ia ktheu bariu. — Po tani bashkë me tët vëlla duhet të çlodheni, sepse nuk e keni marrë veten mirë për të vazhduar udhën.
Kështu pra, të dy djelmoshat qëndruan gjithë atë ditë e gjithë atë natë në shtëpinë e këtyre njerëzve të varfër dhe të nesërmen në mëngjes u nisën për në Spartë. E shoqja e bariut u bëri gati një shportë të madhe plot me djathë e me bukë, që të mos mbeteshin pa ngrënë në mes të rrugës. Dhe bariu i shoqëroi një copë udhë.
Agamemnoni dhe Menelau vazhduan rrugën. Ishin të trishtuar, por jo aq sa ditën e shkuar, sepse sillnin në mend familjen mikpritëse dhe gruan e sjellshme që kishin takuar, dhe shpresonin të gjenin edhe njerëz të tjerë të mirë si ata.
Ec e ec, më në fund arritën te lugina e thellë, ku ishte ndërtuar Sparta. Panë nga lart qytetin e përshkuar nga një lumë, që dukej si prej argjendi e që quhej Eurotë. Nga njëra anë e lumit, në një luadh të veshur me blerim, po luanin me top disa vajza të veshura me të bardha. Njëra prej tyre i kishte flokët pisë të zez dhe, me sa dukej, ajo drejtonte lojën. Kjo ishte Klitemnestra, vajza më e madhe e Tindarit. Një vajzë tjetër rrinte mënjanë dhe thurte kurora me shafran që t’i vinte në flokët e saj të verdhë si ari. Kjo ishte Helena, motra e Klitemnestrës, e bardhë si zambaku dhe e bukur si dielli.
Agamemnoni dhe Menelau nuk iu afruan vajzave, po shkuan drejt e në pallatin madhështor të Tindarit, mbretit të Spartës, qëndruan te dera dhe po pritnin. Nuk iu desh të pritnin gjatë.
Tindari doli nga pallati dhe u ul mbi njërin nga gurët e bardhë të lëmuar e të ndritshëm që ndodheshin para derës. Së bashku me mbretin dolën edhe djemtë e tij, Kastori dhe Polidoku. Atëherë Agamemnoni dhe Menelau bënë disa hapa përpara, iu afruan mbretit dhe i kapën gjunjët, siç ishte zakon për ata që kishin ndonjë lutje. Agamemnoni, më i madhi, i tha:
— I shkëlqyeri e i fuqishmi Tindar, dëgjo lutjen tonë! Prano në pallatin tënd dy djem të mjerë, që nuk kanë më as atdhe as shtëpi, as babë as nënë! Jemi të shkretë në botë, të rrethuar nga armiq që kërkojnë vdekjen tonë. Egisti ka vrarë Atreun, babanë tonë, Ikëm nga Mikena, përndryshe Egisti do të na kishte vrarë edhe ne. Të lutemi për hir të qenieve më të shtrenjta që ke në botë: për hir të fëmijëve të tu, që i do, dhe të zotave që i adhuron, të na marrësh në mbrojtje.
— Ç’do të thotë kjo «për hir të zotave?» — pyeti Leoja.
Grekët e vjetër besonin në perëndi, dhe jo në një të vetme, por në shumë, prandaj thoshin për hir të zotave. Kështu tha dhe Agamemnoni, ndërsa Tindari i vështronte i habitur. Këta dy djelmosha ishin me të vërtetë bijtë e Atreut. Ishin po ata djem që ai i njihte mirë, se i kishte parë kur rendnin dhe kërcenin hareshëm në sheshet e Mikenës dhe mbi barin e luadheve! Tani po e kapnin për gjunjësh duke qarë: rrobat i kishin prej stofi shumë të mirë, por u ishin bërë zhele-zhele, sandalet e stolisura me ar u qenë grisur e pluhurosur. Tindari do t’i ndihmonte patjetër! Po si? Tiesti ishte bërë zot i Mikenës dhe komandonte një ushtri të tërë, kurse Tindari donte paqen dhe urrente luftën; për t’i ndihmuar duhej t’u jepte një ushtri! Tindari po i mendonte të gjitha këto dhe Agamemnoni, që e pa se ishte me dy mendje, iu lut sërish:


— Shpëtona, o Tindar! Pa shiko sa të rinj që jemi! Jeta është e bukur dhe drita e diellit është e ëmbël. Po të na përzësh, do të detyrohemi të shkojmë qytet më qytet, mbase do të humbasim midis pyjeve dhe do të vdesim urie! Mos na dëbo, o mbret! Perënditë që i duan njerëzit e mirë do të të përkrahin, në qoftë se do të sillesh mirë me ne.
Mirëpo Tindarit nuk iu mbush mendja nga fjalët e Agamemnonit. Më në fund tha:
— O djelmosha, ka shumë mbretër në Heladë, s’dihet, ndonjë tjetër mund t’ju ndihmojë më mirë se unë. Do t’ju marr në shtëpi, pa dyshim, do t’ju lë të çlodheni e do t’ju jap rroba dhe ushqime. Pasi të çlodheni mirë e mirë, do t’ju dërgoj te Nestori, mbreti i Pilos. Nestori është i dëgjuar për urtësinë e tij. Është burrë i mirë dhe i fortë, kush ka nevojë për ndonjë këshillë, shkon tek ai. Do t’ju dalë krah e do t’ju thotë ç’duhet të bëni.
Djemtë e Atreut iu lutën prapë Tindarit duke qarë. Dhe kur ata po i luteshin duke i pushtuar gjunjët, mbërritën përpara pallatit të Tindarit një tufë vajzash veshur me të bardha.
Kishin ardhur nga Eurota, ku kishin larë rroba në ujërat e kulluara të lumit, e pastaj kishin lozur me top. Njëra prej tyre, me sy e flokë të zez, ecte përpara të tjerave me një hap të sigurt; kjo ishte Klitemnestra, vajza e madhe e Tindarit. Një tjetër, e bardhë si zambaku dhe e shkëlqyer si dielli, mbante një kurorë shafrani në flokët e verdhë si ar; kjo ishte Helena, krijesa më e bukur që kanë parë sytë e njeriut.
Kur panë të dy djelmoshat që po luteshin, vajzat u ndalën. Klitemnestra i vështroi me përbuzje, kurse Helena iu drejtua të atit:
— Si e kanë hallin dhe pse qajnë? — pyeti me përdëllim Helena flokartë.
Pasi Agamemnoni e tregoi edhe një herë historinë e zymtë, Menelau rrinte i heshtur e i zbehtë, duke vështruar Helenën e bukur. Helena ra në gjunjë përpara Tindarit, ashtu siç kishin rënë të dy djelmoshat, dhe iu lut për bijtë e Atreut.
— Sigurisht që nuk do t’i braktisësh këta dy djem të mjerë, o baba i dashur! Të lutem unë në vend të tyre. Sikur vëllezërit e mi, Kastori dhe Polidoku, të mbeteshin të varfër dhe të kërkonin ndihmë e sikur një mbret tjetër t’u dilte zot, mendo se sa do të kënaqeshe ti!
Tindari e donte aq shumë bijën e tij të hijshme, sa nuk ia hidhte dot poshtë fjalën. I pranoi të dy djelmoshat, u dha ushqime dhe rroba, armë dhe ushtarë, që të mund të luftonin kundër Egistit dhe të ktheheshin në Mikenë.
Kësodore, Agamemnoni dhe Menelau, në krye të një ushtrie morën sërish rrugën që kishin bërë të vetmuar e të braktisur. Menelaut s’i hiqej nga mendja Helena, vajza e bukur që ishte lutur për të, kurse Agamemnoni mendonte për Klitemnestrën kryelartë, për qytetin e Mikenës, për t’anë e vdekur dhe të ungjin që sundonte. Dhe thoshte me vete: «Do ta mund Egistin dhe Tiestin e, kur të fitoj, do të kthehem te Tindari, që bija e tij kryelartë të më vështrojë me sy tjetër!»

[cite]