SI PËRFUNDOI DYLUFTIMI MIDIS PARIDIT DHE MENELAUT
Akili, mbreti i mirmidonëve, ishte larguar nga lufta. Ditët i kalonte në shatorre, fill vetëm e i trishtuar, duke menduar për fyerjen që i kishin bërë, ose rrinte bashkë me Patroklin, kushëririn dhe mikun e tij të dashur. Luftëtarët e tij dëfrenin buzë detit duke hedhur shigjeta e duke luajtur me disk. Kuajt kullotnin qetë-qetë në fushën tërë bar dhe karrot e prijësve qëndronin pa lëvizur pranë çadrave e asnjeri nuk i përdorte.
Asnjeri në kampin e Akilit nuk mendonte për të luftuar. Mirëpo luftëtarët e tjerë po bëheshin gati e çdo prijës i armatosur gjer në dhëmbë kaloi përpara ushtarëve.
Pas pak të dy ushtritë ishin gati për luftë.
Trojanët bënin një zhurmë të tmerrshme me ulërima dhe britma të egra, kurse akejtë rrinin të heshtur e u vinin veshin urdhrave të kryekomandantit.
Më në fund, njëri nga luftëtarët trojanë bëri disa hapa përpara. Ishte shumë i pashëm, me një lëkurë leopardi të hedhur supeve, me harkun dhe me shpatën ijëve. Në të dy duart kishte nga një heshtë, kokën e mbante përpjetë, vështrimin e kishte krenar dhe thërriste:
— Përpara! Ejani të luftoni! Kush ka guxim, le të dalë përpara! Unë jam Paridi. Po mundët, ejani të më ndëshkoni!
Kështu thërriste ai që kishte rrëmbyer Helenën dhe kërkonte armikun; në këto fjalë e sipër, Menelau, që rrinte në këmbë, mbi karron e tij të mbrehur me dy kuaj të mrekullueshëm, u hodh nga karroja, vrapoi midis rreshtave të ushtarëve dhe iu vërvit Paridit. Dukej si një luan që ka gjetur më në fund gjahun e dëshiruar, dhe, kur e pa që po vërsulej i tmerrshëm dhe i tërbuar nga urrejtja, Paridi u tremb jashtë masës, u zbeh i tëri dhe ua mbathi këmbëve, duke u kthyer midis trojanëve. Si qengji që ka parë ujkun e egër e të uritur, edhe Paridi harroi fjalët që kishte thënë pak më parë plot krenari dhe po rendte me të katra që të shpëtonte lëkurën, pa menduar se ky ishte një turp për gjithë trojanët. E pa Hektori, vëllai më i madh, i doli përpara i zemëruar dhe e ndali.
— Parid o faqezi, je i bukur si një perëndi, po frikacak si një lepur. Sa do të tallen me ty armiqtë tanë! E di ç’do të thonë? Ky është biri i Priamit, i cili është shumë trim kur është puna për të shitur mend ose për të rrëmbyer gratë, por ua mbath këmbëve me të parë parzmoren e një luftëtari, si miu që ikën me të katra kur sheh maçokun! Pa dyshim, të admiruan pak më parë, kur po i afroheshe armikut dhe dukeshe i gatshëm për të luftuar vetëm fill kundër të gjithëve. Po tani je veç një frikacak! Kur pate guxim të rrëmbeje Helenën, pse të mos kesh guxim t’i bësh ballë Menelaut? Ah! Po të mos kishin qenë zemërmirë, trojanët do të të kishin, qëlluar me gurë, sepse ti u bëre këtë të keqe të madhe!
Paridi u skuq prej turpit nga këto fjalë të Hektorit. Ai tha: — Mos më qorto, o Hektor! Afërdita ma dha Helenën dhe asnjëri s’e hedh poshtë dhuratën e një perëndeshe. Po dëgjo: unë nuk iki dhe jam gati të matem që tani me Menelaun vetë. Në njërën anë të fushës le të rrinë trojanët, në anën tjetër akejtë: në mes të fushës do të luftojmë unë dhe Menelau e asnjeri të mos na ndihmojë. Kush të fitojë, do të ketë të drejtë të mbajë Helenën e pasuritë e saj, dhe lufta do të marrë fund.
Kështu foli Paridi. Dhe Hektori vrapoi te rreshti i parë i ushtarëve, mori heshtën dhe e ngriti përpjetë. Me të parë këtë shenjë, trojanët u ndalën, kurse Agamemnoni thirri: — Hapni veshët, o luftëtarë! Hektori, biri i Priamit, ka për të thënë diçka.
— O akej dhe trojanë, — tha Hektori me zë të fortë, duke qëndruar midis dy ushtrive. — Po ju bëj një propozim — për këtë më ka dërguar Paridi. Ai është gati të luftojë me mbretin e Spartës, kërkon të luftojë vetëm për vetëm me Menelaun dhe kush të fitojë, do të ketë Helenën dhe pasuritë e saj. Pas dyluftimit, lufta do të marrë fund. Ju do të nisni anijet në det për t’u kthyer në shtëpitë tuaja, asnjeri s’do të zërë heshti a shpatë me dorë, sepse trojanët dhe helenët do të bëhen miq me njëri-tjetrin. Pranoni?
Të dy ushtritë i dëgjuan në heshtje fjalët e heroit, pastaj e mori fjalën një luftëtar: ky ishte Menelau, mbreti i Spartës.
— Pranoj. Njëri nga ne të dy do të vdesë në dyluftim. Asnjeri të mos zërë më as heshtë as shpatë me dorë; asnjeri, përveç ne të dyve: Paridit, birit të Priamit, dhe Menelaut, birit të Atreut. Të betohemi dhe asnjeri të mos e shkelë betimin. Do të luftoj gjer në pikën e fundit, o të fitoj o të vdes; pastaj lufta do të pushojë. Le të betohemi, prijës dhe luftëtarë.
Kështu foli Menelau dhe të dy ushtritë u rrëqethën gazit, sepse secili nga mijëra luftëtarët mezi priste që lufta të merrte fund sa më shpejt dhe paqja t’i kthente në shtëpi.
Agamemnoni dërgoi të merrte dy qengja, kështu bëri dhe plaku Priam. I therën qengjat, zbrazën verën në kupa dhe Agamemnoni bëri betimin:
— O Zeus i madh e i lavdishëm dhe ju të gjithë, o zota të pavdekshëm, që banoni majave të Olimpit, dëgjoni: le të bëhet dyluftimi midis Paridit dhe Menelaut; asnjeri, përveç Paridit dhe Menelaut, të mos zërë as heshtë as shpatë me dorë. Ngadhnjimtari do të marrë për vete Helenën dhe lufta do të marrë fund. Asnjeri të mos e shkelë betimin.
Agamemnoni e flaku përdhe kupën dhe vera u derdh, e kuqe si gjaku. Në këtë çast, njëqind mijë ushtarë ngritën krahun lart dhe njëqind mijë zëra përsëritën betimin solemn. Pastaj ra heshtja sërish. Të dy ushtritë, të rreshtuara, qëndronin pa lëvizur dhe pritnin me ankth.
Odiseu, mbreti i Itakës, dhe Hektori, biri i Priamit, natën me sy fushën e, pasi u caktua vendi i Paridit dhe vendi i Menelaut, Hektori mori një përkrenare. Në përkrenaren e përmbysur Odiseu hodhi shortin për të ditur se cili nga të dy luftëtarët duhej ta hidhte i pari heshtën.
I ra shorti Paridit dhe përnjëherësh princi trojan e hodhi heshtën e tij të gjatë drejt mburojës së Menelaut. Mburoja u thye, edhe parzmorja u thye, edhe tunika u copëtua, por mbreti i Spartës përkuli trupin e s’e la kundërshtarin ta plagoste. U përkul, pastaj u ngrit menjëherë, mori në dorë shpatën me gozhda prej argjendi dhe goditi përkrenaren e Paridit; po përkrenarja nuk u cënua fare, kurse shpata i shpëtoi nga dora Menelaut, u copëtua dhe doli jashtë përdorimit.
Me mburojë të thyer, me shpatë e me parzmore të copëtuar, Menelau u derdh si i tërbuar mbi Paridin. Kapi përkrenaren e princit trojan dhe u përpoq ta rrëzonte përtokë e ta vriste. Dhe Paridin do ta kishte mbytur pa dyshim dora e fortë e Menelaut, po të mos kishte ardhur me vrap Afërdita, tamam në çastin e rrezikshëm. Perëndesha këputi qinglën prej lëkure që mbante përkrenaren të lidhur nën mjekër, e mori në krahë Paridin dhe e shpuri larg, në një pallat; larg, në dhomën më të fshehtë ajo i shpëtoi jetën Paridit, por jo nderin.
Kur ktheu kokën, Menelau nuk e pa më Paridin. E kërkoi nga tërë anët, po nuk e gjeti, dhe midis luftëtarëve u bë rrëmujë, Atëherë se kush u hodh dhe tha me zë aq të lartë, sa fjalët e tij i dëgjuan të dy ushtritë:
— Paridi iku, pra Menelau fitoi. Kthejani atij Helenën bashkë me pasuritë e saj.
Kështu foli Agamemnoni e asnjë nga trojanët nuk u përgjigj. Por njëri prej tyre, që quhej Pandar, tha me vete: Sikur ta qëlloja me një shigjetë Menelaun dhe të vdiste, Helena do t’i mbetej Paridit dhe unë do të fitoja një lavdi të përjetshme! Pandari trojan nuk mendoi se është turp të shkelësh betimin, e qëlloi me shigjetë Menelaun dhe e goditi në njërën këmbë. Atëherë akejtë u zemëruan dhe u vërsulën kundër trojanëve.
— Edhe Pandarit? — pyeti Leoja.
— Sigurisht: ky e shkeli betimin.
— Po Pandari vdiq? — pyeti Lia.
— Vdiq menjëherë. E vrau Diomedi, mbreti i Argos.
— Mirë iu bë! — tha Leoja. — Shumë mirë, — tha Lia.
Kështu pra, përfundoi dyluftimi midis Paridit dhe Menelaut.
[cite]