PARTIZANI


PARTIZANI
✤ Klub sportiv i Ushtrisë Popullore, përfaqësues i Ushtrisë Popullore në veprimtaritë sportive të vendit. U krijua më 11 janar 1946.

Zhvillon të gjitha llojet e sportit për meshkuj e femra. Në mënyrë të veçantë «P.» ndihmon për zhvillimin e sporteve me karakter ushtarak, si qitja, radioamatorizmi, alpinizmi, atletika, mundja, ngritja e peshave etj. Në spartakiadat kombëtare, në veprimtaritë e kampionateve kombëtare e atyre për Kupën e Republikës etj., sportistët e «P.» kanë zënë shumë vende të para. «P.» është kampion në shumicën e kampionateve kombëtare të mundjes klasike, të atletikës për meshkuj, të basketbollit për meshkuj, kampioni i parë në qitje (1949) etj. Futbollistët, basketbollistët, volejbollistët, qitësit, atletët, gjimnastët, mundësit, peshëngritësit, çiklistët etj. kanë marrë pjesë në një varg ndeshjesh e garash jashtë vendit. (D.T.)

✤ (Theollogo). Krahinë malore e kodrinore në JL të rrethit të Sarandës midis rrjedhjes së sipërme të 1. Pavlla (shih) në J dhe përroit të Leshnicës në V. Rrethohet në L nga mali i Koritjes e i Stugarës (1769 m), në J nga mali i Shëndenikut, në V nga mali i Kazanjës (1296 m), në P nga mali i Dhivrit. Tokat kryesore bujqësore gjenden në luginën e Pavllës dhe Leshnicës. Krahina është e pasur me burime ujërash nëntokësore, në Leshnicën e Sipërme është ndërtuar një HEC (200 kW). Rriten kryesisht makjet dhe dushku, sidomos valanidhi. Nga makjet përhapje të madhe ka sherbela, që distilohet në një punishte në Cerlcovicë. Banohet nga popullsi me kombësi greke që gëzon të gjitha të drejtat e garantuara me Kushtetutën e RPSSH. Qendrat kryesore të banuara janë Dhivri, Cerkovica, Janicati, Shëndreu, Malçani, Leshnica e Poshtme, Leshnica e Sipërme.

Fshatrat e P. bëjnë pjesë në kooperativën e bashkuar «Partizani» me qendër në Cerkovicë. Në krahinë rriten mirë drurët frutorë, ullinjtë, drithërat e bukës dhe blegtoria e imët. Gjatë Luftës ANÇ në këtë krahinë (Leshnicë e Sipërme) ka qenë një spital partizan. Me 30.8.1944, këtu u formua Brig. XIX S (shih). Gjatë viteve të pushtetit popullor në krahinë janë bërë përparime të mëdha në të gjitha fushat.

(F.Kr.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Partizani


[cite]