PATOLOGJIA MORFOLOGJIKE


PATOLOGJIA MORFOLOGJIKE
✤ (Anatomia patologjike). Dega e mjekësisë që studion ndryshimet ndërtimore (morfologjike) që ndodhin te indet ose organet e organizmit në sëmundje të ndryshme; ecurinë, ndërlikimet e mekanizmin e këtyre ndryshimeve, në lidhje të ngushtë me shfaqjet klinike. P. M. përdor metoda të shumta hulumtimi në të sëmurët si biopsinë, punksion-biopsinë, studimin e lëngjeve të ndryshme biologjike dhe të qelizave eksfoliative që merren me anën e punksioneve, në rast vdekjeje autopsinë. P. M. bën lidhjen e diagnozës patomorfologjike me atë klinike, duke dhënë kështu ndihmesën e vet në parandalimin e mjekimin e sëmundjeve. Ajo përdor dhe metodat e studimeve dhe eksperimentimeve, duke përftuar modele të sëmundjeve në kafshët. Shkenca e P. M. filloi të zbatohej në vend më 1954 me krijimin e katedrës përkatëse në Fakultetin e mjekësisë. Sot përveç katedrës që drejton edhe shërbimin qendror të anatomisë patologjike të spitaleve të Tiranës, janë organizuar shërbime përkatëse në të gjitha rrethet e vendit, zbatohen metoda bashkëkohore si ato histokimike, mikroskopinë e fazokontraste, me dritë të polarizuar, makroskopinë elektronike, fluoreshentë etj. Ndër studiuesit në këtë fushë mund të përmenden Pëllumb Bitri etj.

(Pë.Bi.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Patologjia Morfologjike


[cite]