PATROKLI, MIKU I AKILIT
Midis heronjve që ishin nisur me Agamemnonin për në luftën e Trojës, ishte dhe Patrokli, miku i ngushtë i Akilit. Të dy duheshin me gjithë zemër e s’ndaheshin nga njëri-tjetri. Kur Akili e braktisi Agamemnonin, edhe Patrokli ishte tërhequr nga lufta. Ai e urrente me gjithë shpirt këtë kryekomandant që pati sy e faqe të fyente mikun e tij fisnik: herë-herë përpiqej ta qetësonte e ta ngushëllonte Akilin dhe shpeshherë i rrinte pranë i heshtur, dhe Akili e dinte sa fort e donte Patrokli.
Një ditë, të dy shokët po rrinin në shatorren e Akilit, të dy vetëm dhe të heshtur. Së largu vinte zhurma e përleshjes dhe ata e dëgjonin. Në një qosh, përdhe, ishin armët e bukura dhe të shndritshme, po Akili as që ua shtinte sytë fare. Nuk vështronte gjë, nuk shihte gjë: mendonte heronjtë që po luftonin dhe dëgjonte oshtimën e betejës. Aty po vriteshin, aty kishin nevojë për shpatën e për forcën e tij, dhe ai po rrinte i plogët. Ndiente se po i merrej fryma. Brofi në këmbë dhe, pa thënë asnjë fjalë, doli nga shatorrja. Helenët dhe trojanët luftonin pareshtur. Armët vezullonin. Një luftëtar u sul në rreshtin e parë. Ishte Agamemnoni. Puplat e përkrenares i shkëlqenin si dielli; heshta i ndrinte si flaka dhe para tij luftëtarët armiq binin njëri pas tjetrit. Trojanët çuditeshin me forcën e tij, trembeshin dhe iknin me të katra, si një kope dhensh që i ndjek ujku; po ai i arrinte, i qëllonte dhe i vriste.
Befas Akili pa diçka që s’e priste. Agamemnoni kërkoi karron e vet, hipi dhe u kthye me vrap drejt anijeve: ishte plagosur, pa dyshim! Me t’u tërhequr Agamemnoni, trojanët morën zemër dhe pas pak, dy luftëtarët e tyre më trima, Hektori dhe Eneu, u dukën në sheshin e betejës duke luftuar si luanë. Tani trojanët ishin më të fortë. Akili pa me hidhërim dy heronj që ai i donte me gjithë zemër: Odiseun, mbretin e Itakës, dhe Diomedin, mbretin e Argos, që po u hipnin karrove dhe po ktheheshin me vrap nëpër anijet.
— Pse iknin? — pyeti Leoja.
— Sepse ishin plagosur. Ishin plagosur tre komandantë, jo, jo, bëheshin katër me gjithë Menelaun.
Hektori dhe Eneu sundonin tani fushën e betejës. Akilit i vlonte gjaku në rremba, kishte dëshirë të zjarrtë të luftonte dhe mendonte se, me ta parë të armatosur, trojanët do t’ua mbathnin këmbëve nga frika që kishin prej tij. Por megjithatë, ai s’tundej vendit: mendonte për fyerjen që i kishin bërë, mendonte paturpësinë e Agamemnonit dhe s’lëvizte nga anija.
Një karro tjetër u kthye me një tjetër të plagosur. Ishte karroja e Nestorit, e mbretit plak të Pilos. Po kush ishte luftëtari që dergjej pranë Nestorit? Akili nuk mundi ta shihte në fytyrë, sepse kuajt vraponin me të katra, e që majë anijes thirri Patroklin.
— Patrokël, ku je?
Kur dëgjoi zërin e Akilit, Patrokli doli nga shatorrja ku rrinte fill vetëm e i trishtuar, duke dëgjuar jehonën e largët të betejës me dëshirën të ndihmonte shokët.
— Pse më thërret, o Akil? Ç’mund të bëj për ty?
— O vëlla, akejtë do jenë penduar me siguri që më kanë fyer. Tani më duket se janë në hall të madh. Po cili është ky i plagosur, që Nestori po e largon nga fusha e betejës? Shko, Patrokël, mik e vëlla, dhe pyete.
Kështu foli Akili dhe Patrokli iu bind shokut. Shkoi në shatorren e Nestorit dhe e pyeti Nestorin:
— O Nestor, mbret i Pilos, si quhet ai i plagosuri që solle tani në shatorren tënde? Akili kërkon ta dijë.
— Po ç’i hyn në punë Akilit të dijë se cilin kam sjellë? Mos vallë Akilit i vjen keq për ne? Të gjithë janë të plagosur: Agamemnoni në krah, Diomedi në këmbë, Menelau në kofshë, Odiseu në kraharor. Ç’kërkon pra Akili? Mos do vallë që trojanët të mbërrijnë tek anijet tona e t’u vënë zjarrin? Atëherë ata do të fitojnë dhe asnjë prej nesh s’mund të kthehet më në shtëpi. Edhe Makaoni është plagosur, më i zoti i mjekëve tanë. Kush do t’i mjekojë të plagosurit? Jepi një këshillë të mirë Akilit, o Patrokël, thuaji ta harrojë fyerjen që të kanë bërë dhe le të kthehet me ne. Në mos u ktheftë, kërkoji të paktën armët, vishi dhe udhëhiqi ti luftëtarët tuaj në luftë. Këtë kërkesë s’mund të ta hedhë poshtë Akili.
Kështu foli mbreti i Pilos dhe Patrokli shkoi drejt anijeve të Akilit.
Ndërkaq beteja po vazhdonte dhe zhurma sa vinte dëgjohej më afër. Patrokli vështroi dhe pa se trojanët i kishin shtyrë akejtë gjer afër anijeve dhe ata luftonin shpresëhumbur, duke kërkuar ndihmë, që trojanët të mos u vinin zjarrin anijeve. Atëherë Patrokli doli nga çadra dbe, duke qarë, vrapoi tek Akili: dukej si një përrua që rrjedh nga maja e një shkëmbi. Kur e pa, Akilit i erdhi keq për të e i tha:
— Ç’ke, o Patrokël, që qan si një foshnjë e vogël që i qepet pas s’ëmës, e heq për fustani dhe e vështron me sy të përlotur, se kërkon që ta marrë në krahë? Po më dukesh tamam si një foshnjë e vogël. Mos vallë po qan se akejtë janë tërhequr gjer në anijet e po vdesin nga goditjet e Hektorit dhe të Eneut? Asnjeri s’mund të na bjerë në qafë. Fajin e ka ai që më fyeu. Agamemnoni, komandanti i madh! Faji nuk është as imi as yti!
— O bir i Peleut, më i forti i të gjithëve, — iu përgjigj Patrokli, — një brengë e thellë më bën të qaj. Më të mirët e më trimat janë plagosur dhe s’lëvizin dot; s’ka kush ta shpëtojë atdheun dhe ti nuk bën udhë, o trim me fletë! Agamemnoni e kuptoi gabimin dhe të jep dhurata të çmueshme përveç skllaves Briseidë, po ti s’po tundesh, o kryeneç! Po në mos daç të luftosh, lëri të paktën të vijnë luftëtarët dhe jepmi mua armët e tua. Ndoshta, duke më parë të veshur me to, trojanët do të më marrin për Akilin, do të ndalen të tmerruar dhe helenët do të çlodhen pakëz.
Kështu iu lut Patrokli duke qarë.
Dhe Akili ia dha mikut luftëtarët dhe armët, ato armë të bukura të ndritshme, që zotat ia kishin dhuruar Peleut ditën që ishte martuar me Tetin.
—Hidhi në krahë armët e mia, o Patrokël, shko të luftosh bashkë me luftëtarët e mi dhe zmbrapsi trojanët. Po të më ishte sjellë mirë Agamemnoni, s!do ta kishte tani armikun aq afër anijeve. Po ti, o Patrokël, shko dhe zmbrapsi. Nuk dua të fitojnë trojanët, s’dua që t’u vënë zjarrin anijeve. Kur t’i kesh dëbuar larg, kur t’i kesh shtyrë brenda mureve të Trojës, kthehu. Nuk të takon ty t’i shembësh këto mure. Rreziku është shumë i madh dhe ti do të vritesh. Pra, pasi t’i kesh larguar trojanët, mos lufto më, po kthehu këtu bashkë me luftëtarët tanë.
Kështu foli Akili dhe, ndërsa po fliste, pa një flakë në det, sepse trojanët i kishin vënë zjarrin njërës prej anijeve. Helenët do të mbeteshin pa atdhe, pa shtëpi, sepse nuk do të mund të largoheshin nga vendi i armikut! Kur e pa flakën, Akili u ra kofshëve dhe tha:
— Shko, Patrokël, vrapo! Po shoh në det zjarr të madh, nisu! — Dhe Patrokli veshi armët e Akilit dhe mori shpatën, por heshtën e la, sepse ishte aq e rëndë, sa vetëm i biri i Peleut mund ta mbante.
Veshi armët dhe i priu luftëtarët kundër armiqve. Këta kujtuan se ishte Akili dhe ua mbathën këmbëve të trembur. Zjarri u shua dhe trojanët u zmbrapsën gjer afër mureve të Trojës.
Akili vështronte që majë anijes dhe i gëzohej shpirti kur mendonte se mjaftonin armët e tij për të fituar betejën. Ai pa Patroklin që po luftonte e po i shtynte gjithnjë e më larg armiqtë, pa trojanët që po hynin me rrëmbim në qytet, dhe mezi po priste kthimin e Patroklit.
Por Patrokli nuk po kthehej: luftimet vazhdonin rrëzë mureve të qytetit dhe Akili dridhej se mos pësonte gjë shoku i tij.
Kishte të drejtë të shqetësohej. I ndezur nga fitorja, i etur për luftime, Patrokli harroi se duhej të kthehej prapa pasi i shtyu armiqtë brenda mureve të qytetit. Deshi të rrëzonte edhe muret dhe të dilte ngadhënjimtar.
I sulmoi tri herë dhe tri herë vrau nëntë vetë; herën e katërt u plagos në sup nga një shigjetë. U mundua të tërhiqej midis shokëve, po Hektori, që e njohu më në fund, u derdh mbi të dhe e goditi me heshtën e tij të fortë. Heshta e shpoi tejpërtej, miku i Akilit ra përdhe pa ndjenja dhe parzmorja e bukur, që nuk ishte mundur kurrë, u rrokullis në baltë.
Hektori, që i dëshironte qëkur armët e Akilit, zhveshi të vrarin dhe ia mori përkrenaren, parzmoren, kollçikët, shpatën dhe mburojën. Dhe beteja vazhdonte e ashpër, ndërsa Akili vështronte së largu, përpiqej të kuptonte ç’kishte ndodhur dhe priste nga çasti në çast kthimin e Patroklit.
Po Patrokli s’po kthehej dhe Akili nisi të dyshonte: mos vallë kishte ndodhur ndonjë e keqe?

[cite]