PAZHOKU
✤ Varrezë tumulare ilire prej 25 tumash, në JP të Elbasanit, në fushën e Pazhokut në bregun e djathtë të Devollit. Gërmimet janë bërë më 1960 e 1973. U zbuluan 7 tuma të ngritura prej dheu, zakonisht mbi një varr qendror. Tuma I, më e madhja e varrezës, e lartë 5 m e me diam. 32 m shquhet për arkitekturën e saj. Ajo është ndërtuar mbi një varr qendror me gropa nën taban, që rrethohej nga një unazë gurësh. Varri përmbante dy skelete dhe një kokë kau të flijuar. Një unazë më e madhe kufizonte varret dytësore të tumës. Varret e tjera janë me gropa, herë të rrethuara e të mbuluara me gurë e herë me arka druri. Riti i varrimit është kryesisht me kufomë të vendosur gërmuq. Tumat janë të një pe- riudhe që shkon nga fillimi i kohës së bronzit deri në fillim të kohës së hekurit. Janë ripërdorur në mesjetën e hershme e atë të zhvilluar. Inventari i varreve përbëhet nga armë, stoli e qeramikë; tipike janë enët me trup të zbukuruar me kanelyra të gjera oblike. Në kohën e hershme të hekurit kultura e varrezës zë një vend të ndërmjetëm midis grupit të Matit dhe atij të Devollit. Sendet e importuara të kohës së bronzit dëshmojnë për marrëdhëniet e truallit tonë me botën e Egjeut.

(Zh.A.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Pazhoku


[cite]