PELLGJET UJËMBAJTËSE ARTEZIANE
✤ Treva ujëmbajtëse që përfshijnë një ose disa struktura gjeologjike, zakonisht në trajtë sinklinale ose monoklinale, në të cilat gjenden horizonte ujëmbajtëse nën trysni. Këto horizonte përbëhen nga shtresa shkëmbinjsh të përshkueshëm dhe ujëmbajtës, të vendosura në* mes të shtresave të papërshkueshme. Kur shpohen puse arteziane në këto pellgje, uji falë trysnisë që ka, ngrihet sipër tavanit të shtreses ujëmbajtëse e herë-herë del në sipërfaqe si shatërvan. Kur kanë sipërfaqe të madhe shtrirjeje të horizonteve ujëmbajtëse dhe zonë të vogël ushqimi me ujë. P.U.A. janë të mbushura me ujëra nëntokësore me përmbajtje të lartë kripërash, ndërsa kur zona e ushqimit është e madhe kanë ujë të ëmbël, zakonisht të pijshëm.
Në Shqipëri janë zbuluar mjaft P.U.A., të cilat shërbejnë për furnizimin me ujë të popullsisë, të ind. e bujqësisë. Më të rëndësishmet janë P.U.A. të Fushë-Kuqes (Lezhë-Mamuras), Vjosës, Lushnjës, Korçës etj. Zakonisht horizontet ujëmbajtëse me trysni të këtyre pellgjeve përbëhen nga rëra e zhavorre të kuaternarit, që janë depozituar në brezaret e lashta të lumenjve dhe tani janë të mbuluara nga shtresa deltinash të papërshkueshme. Këtë natyrë gjeologjike ka edha pellgu ujëmbajtës i Shkumbinit, i llojit freatik, pa trysni, por që është nga më të mëdhenjtë e vendit dhe furnizon me ujë edhe Kombinatin Metalurgjik «Çeliku i Partisë». Kërkimet hidrogjeologjike në vendin tonë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen me ritme të larta për të zbuluar pellgje të reja ujëmbajtëse arteziane si dhe për rritjen e rezervave të shfrytëzueshme të ujërave nëntokësore në P.U.A. të njohura.
(Z.Ke.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Pellgjet Ujëmbajtëse Arteziane