PERANDORIA BIZANTINE DHE SHQIPTARËT


PERANDORIA BIZANTINE DHE SHQIPTARËT
✤ Shqiptarët ose arbëreshët mesjetarë përmenden me një emër të veçantë në territorin e Perandorisë Bizantine duke filluar nga shek. XI, më parë në burimet historike bizantine dhe pak më vonë në ato latinoperëndimore e sllave përkatësisht me emrin e përgjithshëm Albanoi, Albanitai, Arbanitai, Arbanensis dhe Arbanas, kurse vendbanimet e tyre Arbanon, Albanon, latinisht Arbanum, Albanum, Albania, sllavisht Raban, me një shtrirje fillestare afërsisht në trevën ku Ptolemeu në shek. II e.r. vendosi fisin ilir Albanoi dhe në shek. XIV-XV në pjesën më të madhe të tokave të banuara nga shqiptarët. Zbulimet dhe studimet e bëra në këto 3-4 dhjetëvjeçarë të fundit nga studiues shqiptarë në fushat e arkeologjisë, gjuhësisë, kulturës popullore. kanë sjellë fakte dhe përfundime të reja, që provojnë se e ashtuquajtura cheshtja e burimeve historike» mbi shqiptarët deri në shek. XI nuk mund të shërbejë si argumentum ex silentio për mospraninë e tyre në trevat ku banojnë sot e pra nuk qenkan autoktonë dhe për rrjedhojë as pasardhës të ilirëve, por të ardhur, siç pretendojnë disa historianë të huaj. Përkundrazi, ato, nëpërmjet objekteve të kulturës materiale, aspekteve të kulturës shpirtërore dhe vazhdimësisë së emrave të vendeve nga antikiteti deri sot në trevat e banuara nga shqiptarët, provojnë vazhdimësinë iliro-shqiptare. Edhe vazhdimësia e jetës kishtare në trevat shqiptare pas dyndjes së sllavëve në Ballkan, në shek. VI dhe VII është një provë tjetër për këtë.

Ndryshe nga sllavët e jugut, që u dyndën, u vendosën, u formuan si kombësi dhe krijuan shtetet e tyre në territore të sunduara më parë nga Perandoria Bizantine, paraardhësit e shqiptarëve u gjetën në sundimin e Perandorisë Bizantine qysh me ndarjen e Perandorisë Romake (v. 395), si pjesëtarë dhe qytetarë të komunitetit shtetëror polietnik, që formonte Perandoria Bizantine, në gjirin e të cilit ata u zhvilluan si popull dhe u formuan si kombësi më vete me një emër të përbashkët, krahas kombësive të tjera fqinje. Me gjithë ndikimin e fuqishëm ideologjik dhe sundimin politik të Bizantit, ata ruajtën identitetin e tyre etnik në të gjitha aspektet e jetës. Të organizuar në bashkësi territoriale, shqiptarët drejtoheshin nga krerët e tyre, të cilët për shkak të largësisë kishin lidhje të dobët me qendrën dhe pesha e kësaj të fundit nuk ishte e ndjeshme mbi ta, prandaj edhe nuk përmenden me emër nga zyrtarët bizantinë dhe nga historianët e kohës, që në përgjithësi kanë qenë njerëz të oborrit perandorak. Në qytetet ishin në krye deri në shek, IX arhondë vendas.

Në fillim të shek. IX trevat shqiptare përfshihen në sistemin e thëmave (shih) dhe që nga shek. X del i dalluar diferencimi shoqëror dhe ndarja klasore në gjirin e shoqërisë shqiptare. Tani përfaqësuesit e klasës feudale shqiptare zënë poste me rëndësi në administratën bizantine me funksione e tituj të lartë (arhondë, patricë, komiskortë, kateiranë etj.) dhe herë pas here edhe të pavarur në zotërimet e tyre.

Që nga shek. XI e këndej marrëdhëniet e shqiptarëve me Perandorinë Bizantine dallohen nga dy aspekte kryesore: konflikte dhe përpjekje të armatosura që janë dhe aspekti kryesor, por edhe raste bashkëpunimi. Shqiptarët janë pjesëmarrës aktivë në të gjitha kryengritjet që u zhvilluan në shek. XI kundër pushtetit qendror, madje në Kostandinopojë, në rrethet e saj politike dhe ushtarake të larta, në qeveri e në opozitë, pjesëmarrja e shqiptarëve në konfliktet me shtetet e tjera (lufta me normanët, anzhuinët etj.) është konsideruar si faktor me rëndësi për fitoren ose disfatën e perandorisë. Kriza e përgjithshme që kishte mbërthyer Perandorinë Bizantine në shek. XII pas luftërave me normanët dhe shkatërrimi i saj nga Kryqëzata IV (1204) bënë që shqiptarët të gjendeshin të përfshirë në konfliktet e mëdha politike dhe ushtarake me fuqitë rivale për trashëgimin e perandorisë së copëtuar. Tani shqiptarët kanë një shtet të tyre të pavarur, Principatën e Arbërit (shih), i cili për shkak të rrethanave politike nuk mundi të konsolidohej. Megjithatë klasa feudale shqiptare që nga shek. XIII do të dalë në shesh gjithnjë e më shumë si një forcë politike e pavarur, me tituj të lartë dhe me ushtri të saj të veçantë. Përballë përpjekjeve të perandorisë së rimëkëmbur në vitet 50-70 të shek. XIII, për të konsoliduar pozitat e saj prej fuqie të madhe në trevat perëndimore të Ballkanit, feudalët shqiptarë do të bashkohen me kryengritjen e madhe popullore të viteve 1257-58 dhe më vonë do të hyjnë në marrëveshje me anzhuinët, më 1272. Pas këtyre ngjarjeve dhe deri në largimin e plotë të sundimit bizantin nga tokat shqiptare, fundi 1 gjysmës së dytë të shek. XIV, shqiptarët janë në konflikt të vazh,dueshëm me Perandorinë kudo që gjenden. Vlen të përmendet kryengritja e viteve 1335-36 e malësorëve shqiptarë, që u shtri që nga Shkumbini e deri në malet e Labërisë. Me 1385 shqiptarët shpartallojnë në betejën e Akelout edhe përpjekjet e fundit të sundimtarëve bizantinë për t’u rivendosur në trevat perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Megjithëse gati për 10 shek., tërësisht ose pjesërisht, u ndodhën nën sundimin politik dhe nën ndikimin ideologjik e kuituror të Perandorisë Bizantine, shqiptarët u afirmuan si kombësi më vete, me gjuhë e kulturë të përbashkët, në një territor të përbashkët që nga mesjeta e hershme, si forcë gjithnjë nië e pavarur nga pushtuesit e huaj, aktivë dhe me peshë në zhvillimin e ngjarjeve në truallin e tyre dhe në krejt Gadishullin Ballkanik.

(K.Bo.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Perandoria Bizantine Dhe Shqiptarët


[cite]