PERIMTARIA


PERIMTARIA
✤ Dega e bujqësisë që merret me rritjen dhe zhvillimin e perimeve (shih). Banorët e krahinave bregdetare të Ilirisë kultivonin lloje të ndryshme perimesh. Të njohur kanë qenë sidomos perimerritësit (bahçevanët) me përvojë të disa krahinave; si të Përmetit, Leskovikut, Korçës etj. Sot P. ka hyrë në rrugën e zhvillimit modern, intensiv e të gjithanshëm. Rreth qyteteve e qendrave të mëdha të banimit është krijuar kurora e perimeve dhe është bërë specializimi dhe përqendrimi i sektorëve. Zhvillim të gjerë ka marrë P. edhe në zonën kodrinore-malore. Puna seleksionuese dhe në përgjithësi ajo kërkimore-shkencore në P. zhvillohet kryesisht në Institutin e Perimeve dhe Patates në Tiranë (shih) dhe ne katedrën e P. në Institutin e Lartë Bujqësor në Tiranë, si dhe në mjaft baza eksperimentale dhe në ekonomi e sektorë të specializuar. Drejtimet kryesore të punës shkencore lidhen kryesisht me krijimin e kultivarëve dhe të hibrideve për perimet më të rëndësishme (domate, speea, lakra etj.), me prodhimin e farërave të gjeneratave të larta, si dhe me mjaft probleme agroteknike për fushën e hapur dhe të mbrojtur (serra). Specialistët për P. përgatiten në Fakultetin e Agronomisë të ILB. Ndihmesë në zhvillimin e P. kanë dhënë Bajazit Habibi etj.

(A.Ok.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Perimtaria


[cite]