Pesë kilometra trashësi

Ka kaluar më se një shekull që nga koha kur Agasizi tronditi botën me teoritë e tij. Që nga ajo kohë historia e periudhave të kaluara të akullnajave është studiuar me kujdes. Periudha e fundit e akullnajave ka ndodhur gjatë një milion vjetëve të fundit. Katër herë radhazi janë formuar mbulesa të stërmëdha akujsh në zonat veriore të Amerikës, të Evropës dhe të Azisë. Trashësia mesatare e akullit e kalonte një kilometër. Detet ishin plot e përplot me ajsbergë. Gjatë përparimit të tyre akujt linin gjurmë të thella në truall, shkatërronin pyje, zhduknin lumenj dhe i detyronin kafshët e ndryshme të tërhiqeshin drejt jugut. Ujërat që përftoheshin nga shkrirja e akujve, duke çarë rrugë përmes grumbujve të gurëve, mbeturinave të bimëve dhe shkëmbinjve të grumbulluar në anët e akullnajave, hapnin shtretër të rinj për lumenjtë.

Poshtë greminave të sajuara nga akujt e kaltër dhe në errësirën e pyjeve gjithmonë të gjelbërta, jeta vazhdonte në po ato forma në të cilat zhvillohet sot në zonat arktike. Aty ku sot ngrihen qytete të mëdha, kulloste dikur bualli i veriut, bizoni trupmadh dhe kali i egër. Më poshtë, në jug, ishin tërhequr për të jetuar kafshë që sot nuk ekzistojnë më ose që u janë përshtatur kushteve të zonave me klimë më të butë, si devetë dhe tapirët, tigri dhëmbëshpatë (që sot është zhdukur) dhe ujku gjigant. Në veri të Evropës dhe në Siberi përsëritej e njëjta dramë midis akujve që përparonin (që mendohet se kishin arritur deri në ultësirën e lumit Po) dhe qenieve të gjalla që tërhiqeshin drejt jugut. Gjatë brezit kufitar të akullnajave jetonin mastodontet dhe mamuthët, drerët, rinocerontët leshatakë dhe arinjtë gjigantë të shpellave. Më në jug haseshin tapirët, elefantët, rinocerontët dhe kope kafshësh të tjera, të cilat dikur jetonin në veri dhe tani iknin pa u ndalur drejt jugut për t’u shpëtuar akujve që i ndiqnin nga pas. Pasardhësit e tyre, ose më mirë pasardhësit e shumë prej tyre, gjenden sot në Azinë Jugore dhe në Afrikë.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]