PISKOVA
✤ Varrezë tumulare ilire prej 4 tumash në luginën e sipërme të Vjosës për gjatë fushës së fshatrave Pacomitë, Rapckë, Grabovë e Mbrezhan të Përmetit. Gërmimet janë bërë në vitet 1978-1979. Janë zbuluar 3 tuma të ngritura prej dheu mbi një varr qendror. Shquhet tuma I për arkitekturën e saj fillestare, të ngjashme me atë të Pazhokut (shih) dhe tuma III, për muranën e saj qendrore. Mbizotërojnë varret me pllaka guri (cist) dhe riti i varrimit me vendosje të kufomës gërmuq. Lënda arkeologjike shumë e pasur e tumave përbëhet kryesisht nga qeramikë e stoli, ndërsa armët janë të pakta. Tumat janë të një periudhe që shkon nga fillimi i kohës së bronzit deri në fillim të kohës së hekurit. Janë ripërdorur si varreza edhe gjatë antikitetit e mesjetës. Kultura prehistorike e këtyre tumave lidhet kryesisht me atë të Shqipërisë JL (devollite), ndërsa kultura mesjetare ka elemente të një varianti J të kulfurës së hershme shqiptare.

(ZH.A.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Piskova


[cite]