PJELLORIA E KAFSHËVE SHTËPIAKE


PJELLORIA E KAFSHËVE SHTËPIAKE
✤ Aftësia e kafshëve për të dhënë rregullisht pasardhës. P. shprehet me numrin e pasardhësve që merren nga një kafshë e rritur brenda një pjellje ose një viti, P. e tufës llogaritet në përqindje. Tek shpendët P. matet me numrin e vezëve që përfitohen brenda një viti nga një pulë ose me numrin e vezëve që merren nga 100 pula mesatarisht çdo ditë. Lopa dhe pela japin nga një pasardhës në vit; dosa jep dy pjellje në vit me nga 9-10 gica për çdo pjellje; delja dhe dhija japin një pjellje por po të trajtohen mirë mund të japin afër dy pjellje në vit me një ose dy pasardhës në çdo pjellje; lepuri jep 4-5 pjellje në vit me 6-12 pasardhës në çdo pjellje. Në blegtorinë ekstensive të para Çlirimit, kushtet e këqija të mbarështimit të kafshëve kishin si pasojë një shkallë të ulët P. Sot krahas me rritjen e rendimenteve të prodhimeve blegtorale, është arritur një shkallë e lartë edhe e P. së kafshëve bujqësore si rrjedhim i përmirësimit të bazës ushqimore, i përbërjes racore dhe i teknikës së mbarështimit.

(R.F.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Pjelloria E Kafshëve Shtëpiake


[cite]