PLANET RREGULLUESE TË QYTETEVE


PLANET RREGULLUESE TË QYTETEVE
✤ Studime dhe projekte me fuqi ligjore që shërbejnë për ndërtimin dhe sistemimin e qyteteve për një perspektivë 20-25 vjeçare. Kanë nisur të përgatiten vetëm pas Çlirimit të vendit me zhdukjen e pronës private mbi tokën dhe me vendosjen e rendit të ri ekonomik-shoqëror që mbështetet në zhvillimin e planifikuar perspektiv. Në to jepen zgjidhje kompozieionale urbanistike e arkitektonike dhe zonimi funksional në përputhje me rritjen demografike, zhvillimin e forcave prodhuese dhe plotësimin e kërkesave jetësore e kulturore sa më të mira për banorët.

Ndër planet rregulluese më të rëndësishme janë ai i Tiranës, i Gjirokastrës dhe i Kukësit. Plani rregullues i Tiranës u miratua më 1956. Në periudhën 1945-1983 kryeqyteti është rritur dy herë si sipërfaqe dhe afër 7 herë si popullsi. Dallohen blloqet e banimit të Tiranës së re, të zonave JL e JP ku jetojnë rreth 2/3 e banorëve, bërthama historike e sheshi qendror, qyteti i studentëve, shëtitorja gjatë Lanës bashkë me unazën, pjesët e gjelbëruara dhe parku i madh i çlodhjes, si dhe zonat e rëndësishme industriale: Kombinati i tekstileve «J. V. Stalin», kombinati i autotraktorëve «Enver Hoxha», zona industriale buzë lumit të Tiranës etj.

Plani rregullues i Gjirokastrës u miratua më 1974, i parashikuar për një popullatë deri 30.000 banorë me dendësi rreth 70 banorë/ha. Në zonën e banimit veçohet qendra historike me vlera kulturore, që përfshin kështjellën, tregun, iagjet Pazari i vjetër, Pllakë, Hazmurat, Mexhide, Teqe, si dhe pjesë të lagjeve Varosh, Palorto, Dunavat, Manalat e Sfakë. Zona e banimit në perspektivë shtrihet drejt kodrave të Gërhotit. Zona industriale shtrihet kryesisht në dy krahët e rrugës për në Sarandë. Zona komunale përfshin stacionin hekurudhor, terrenet sportive dhe ndërmarrjet komunale. Gjelbërimi shtrihet edhe në kodrat mbi qytet.

Plani rregullues i Kukësit të ri u -hartua më 1961 për një popullsi prej 30.000 banorësh dhe deri më 1982 është zbatuar 80% e tij. Zona e banimit është kompozuar me blloqe prej 1300-1400 banorë me ndërtesa 4-6 kate. Në këtë qytet nuk ka asnjë banesë vetjake. Qendra së bashku me sheshin kryesor zhvillohet gjatë bregut të liqenit, që u krijua nga diga e HEC «Drita e Partisë». Shëtitorja e qytetit mbyllet me pamjen e malit të Gjallicës. Në pjesën më të ulët është parku i qytetit me terrenet sportive. P. Rr. të Q. mbështeten në arritjet e urbanistikës e të arkitekturës bashkëkohore, duke shfrytëzuar përvojën e lashtë në ndërtimin e qyteteve në Shqipëri.

(Ko.Mi.—F.Al.—E.Fa.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Planet Rregulluese Të Qyteteve


[cite]