PRINCIPATA E ARBËRIT
✤ Formacioni i parë shtetëror feudal i shqiptarëve në Mesjetë, që dokumentohet qysh nga fundi i shek. XII me sundimtarët Progoni (shih) dhe të birin, Gjini. P. e A. u krijua në kushtet e zhvillimit ekonomik-shoqëror të vendit, me fuqizimin e klasës feudale shqiptare në gjirin e Perandorisë Bizantine dhe si rezultat i acarimit të marrëdhënieve midis popullsisë vendase dhe pushtetit qendror bizantin. P. e A. u shtri kryesisht në Shqipërinë e Mesme, duke mos mundur të përfshijë të gjitha trojet e banuara prej arbëreshëve. Sundimtari më i fuqishëm i dinastisë sunduese u bë Dhimitri i Arbërit (shih) i quajtur në dokumentet «arhond i madh», burrë fisnik, princ i arbëreshëve».
Duke shfrytëzuar me mjeshtëri ‘situatën e krijuar me rënien e Perandorisë Bizantine dhe kontradiktat ndërmjet Venedikut, fqinjit të tij në Dukatin e Durrësit, dhe papës Inocenci III, Dhimitri mundi të përballonte për një kohë rrezikun që iu kanos pavarësisë së P. së A. Më 1213, kur despoti i Epirit pushtoi Durrësin dhe u shtri më vonë deri në Shkodër, P. e A. u ndodh nën presionin e tij të fortë. Me vdekjen e Dhimitrit (1216), e veja e tij u martua me bujarin arbëresh Grigor Kamona, u detyrua të njihte vartësinë e P. së A. nga Despotati i Epirit, duke ruajtur megjithatë ekzistencën e saj si formacion shtetëror. Në mesin e shek. XIII, Gulami, princi sundimtar i Arbërit u gjend përsëri i kërcënuar midis Perandorisë Bizantine e Nikesë, Despotatit të Epirit dhe mbretërisë bullgare në luftë njëra me tjetrën, që e shkelën disa herë tokën e P. së A.
(K.X.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Principata E Arbërit