Profet
(greqisht: προφήτης) Profet quhen ata njerëz të periudhës parakristiane të cilët Perëndia i përdori për të trasmetuar mesazhin dhe dëshirën e Tij. Profetët i thonë botës ato çka i ndriçonte Perëndia. I frymëzuar me shpirtin e shenjtë,që i zbulon të vërtetat e fshehta, transmeton fjalën e Zotit, duke e komentuar të tashmen e zbulon të ardhmen. Njeriu i Zotit, i cili flet në emër të Tij, ndërmjetëson në popull dhe paralajmëron ngjarje të rëndësishme. Gjithmonë predikojnë vetëm ato që duhet të dëgjojë populli i Izraelit. Prandaj gjithmonë fillojnë të flasin me frazat: “Këtë thotë Perëndia” apo “këtë thotë Zoti i Gjithëpushtetshëm”. Janë pra, një pasqyrë mbi të cilën bien mesazhet e shenjta dhe pasqyrohen te bota, sepse populli nuk është në gjendje të dëgjojë dhe të pranojë direkt mesazhe nga Perëndia. Profetët klasifikoheshin në të Mëdhenj dhe të Vegjël. Kjo ndarje bëhet duke u bazuar në madhështinë e veprës së shkruar që lanë pas. Kjo duket qartë nga shembulli i profetit Ilia i cili nuk përmendet as tek të vegjlit dhe as tek të mëdhenjtë, pasi nuk la asnjë vepër të shkruar, e megjithatë është profeti më i njohur. Profetët e mëdhenj janë: Isaia, Jeremia, Jezekieli dhe Danieli. Profetët e vegjël janë: Osea, Amos, Jonas, Naun, Sofonia, Zakaria, Joeli, Avdia, Mikea, Abakumi dhe Malakia. Të shumtë ishin profetët që folën për ardhjen e Krishtit. I fundit prej tyre ishte Shën Joani.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)