PROKURORIA E PËRGJITHSHME


PROKURORIA E PËRGJITHSHME
✤ Organi më i lartë i prokurorisë (shih) në RPSSH, që kryesohet nga Prokurori i Përgjithshëm. Menjëherë pas Çlirimit prokurorët vareshin nga Prokurori i Përgjithshëm i Gjykatës së Lartë nën drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë. P. e P. u krijua si organ i pavarur më 1946 pas shpalljes së Kushtetutës së RPSH. Prokurori i Përgjithshëm drejton e udhëheq veprimtarinë e P. së P. Ai dhe zëvendësit e tij emërohen e shkarkohen nga Kuvendi Popullor, zëvendësit ndërmjet sesioneve nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. I parashtron Kuvendit Popullor e Presidiumit rastet kur ligjet dhe dekretet nuk pajtohen me Kushtetutën, si dhe Këshillit të Ministrave rastet kur vendimet e urdhëresat e tij nuk pajtohen me ligjet, jep urdhra e udhëzime që janë të detyrueshme për prokurorët, ushtron kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë kundër vendimeve të formës së prerë të gjykatave, emëron e shkarkon prokurorët, me përjashtim të titullarëve të prokurorive të rretheve që emërohen e shkarkohen nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Prokuroria E Përgjithshme


[cite]