Puna e valëve

Deti i gërryen në mënyrë të vazhdueshme brigjet ku përplasen dallgët e tij. Batica dhe zbatica si edhe rrymat e ndryshme ujore, ushtrojnë një veprim të pandërprerë gërryes. Vetëm zhvendosjet vertikale të kores, që i ngrenë blloqet e shkëmbinjve në një nivel më të lartë, e kanë penguar detin për ta gërryer plotësisht tokën që del mbi ujë. Valët normale shkaktohen nga erërat. Një erë që fryn gjatë gjithë ditës me shpejtësi 50 kilometra në orë mbi një brez të gjerë deti, mund të ngrejë valë deri 5 metra të larta dhe 100 metra të gjata. Bile, edhe pasi të kenë përshkuar më shumë se 3000 kilometra, këto valë arrijnë pothuajse një metër lartësi. Në të vërtetë valët përshkojnë kështu me mijëra kilometra, madje, edhe sikur era të mos fryjë drejt bregdetit, ato vazhdojnë të ndjekin njëra-tjetrën dhe të thyhen.

Kur një valë i afrohet bregut,, shpejtësia e pjesës së poshtme të saj vjen e pakësohet, si pasojë e forcës tërheqëse që ushtron mbi të fundi i detit. Kreshta e valës, që vazhdon të lëvizë me shpejtësinë fillestare, duke u hedhur përpara, thyhet. Ajo përmban një pjesë të madhe të energjisë që kishte vala vetë para se të prishej. Siç e dinë mirë dhe notarët, një valë që thyhet përmban në vetvete një energji të madhe. Gjatë përplasjes ajo mund të shkulë nga bregu masa të mëdha dhe, kur tërhiqet, forca e saj e zvogëluar mund të shkaktojë akoma shkulje të masave të tjera nga bregu. Trualli fillon kështu pak e nga pak të gërryhet. Gjatë kthimit në det vala merr me vete rërë dhe copëra shkëmbinjsh të shkulura nga bregu; pastaj këto materiale, që rimerren nga vala pasuese, rikthehen përsëri drejt bregut. Si rezultat i përsëritjes së vazhdueshme të një procesi të tillë bëhet një zgjedhje e materialit sipas përmasave të tij. Copat më të mëdha të gurit braktisen në afërsi të bregut, ndërsa më të voglat merren e grumbullohen më larg. Goditja dhe fërkimi i këtyre copave shkëmbore me njëra-tjetrën i lëmon dhe i bën ato plloça. Kokrrizat që janë mbartur, shndërrohen në rërë. Forca goditëse e valëve është veçanërisht e madhe në brigjet shkëmbore dhe të pjerrëta. Valët, duke vërvitur në shkëmbinjtë guralecë, zall dhe rërë, e shkatërrojnë shkëmbin bregdetar që, si pasojë e veprimit kimik të ujit të kripur, është tashmë i gatshëm për t’u shpërbërë dhe për të lejuar formimin e plasave, të zgavrave, shpellave e harqeve, format e të cilave varen nga natyra e vetë shkëmbit dhe nga vendosja e shtresave. Nganjëherë, copërat, me veprimin e tyre të pandërprerë, gdhendin një hulli në nivelin e detit, që thellohet gjithnjë e më shumë me largimin e materialit në fund të faqes së shkëmbit dhe që më në fund shkakton shembjen e saj, duke e shndërruar shkëmbin në një rrëpirë që bie në det. Kemi kështu një zmbrapsje të vazhdueshme të bregut të detit.

Bregdetet e bardha të famshme të Dovrit, në Angli, përbëjnë një shembull tipik të kësaj pune sistematike shkatërruese të kryer nga deti. Bregdeti anglez zmbrapset çdo vit katër metra e gjysmë. Një tjetër shembull klasik është ai i ishullit të Helgolendit, në grykë derdhjen e Elbës në Detin e Veriut. Në shekullin e nëntë perimetri i ishullit ishte rreth 180 kilometra, në fillim të vitit 1900 ishte rreth 4 kilometra dhe ai do të ishte zhdukur krejtësisht në qoftë se njerëzit nuk do ta kishin mbrojtur me mjete mbrojtëse artificiale. Për çdo zmbrapsje të vogël të bregut materialet e mbetura grumbullohen në rrëzë të tij, duke formuar një platformë të nënujshme rëre dhe zalli. Platforma ulet dalëngadalë derisa të arrijë një thellësi të tillë ku të mos ndikojë më veprimi i valëve. Përtej platformës fillon thellësia e vërtetë e detit. Në rast se bregu i nënshtrohet një lëvizjeje çkredhëse, platforma do të formojë së pari një rrafshinë bregdetare dhe, pas disa ngritjesh të njëpasnjëshme, do të lindë një varg «tarracash detare», si në Skoci dhe në Norvegji.

Në brigjet shkëmbore valët gdhendin skulptura nga më të bukurat. Në Angli, në Francë, Itali e në mjaft vende të tjera gjenden shpella shumë të bukura, që nganjëherë janë hapur në shkëmbinj prej bazalti shumë të fortë, siç është rasti i shpellës së famshme Fingal në ishullin Stafa të Skocisë. Nëpër plazhet me rërë vërehet dukuria e fundërrimit detar: dallgët mbartin dhe grumbullojnë nëpër plazhet materiale të imëta (guralecë, grimca rëre, guaska etj.), duke mbushur gjiret e vogla dhe duke formuar breza plazhi e rripa bregdetarë, që nganjëherë dalin mbi ujë dhe formojnë plazhe ose krijojnë ishuj të vegjël që bashkohen me sterenë.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]