PYLLËZIMI
✤ Mbjellja ose rimbjellja me drurë e një vendi të zhveshur për të formuar pyje. Në strukturën e pyllëzimeve dhe ripyllëzimeve në shkallë kombëtare halorët dhe dushqet zënë peshën më të madhe. Ndër halorët pisha e zezë (Pirvus nigra) zë vendin kryesor në pyllëzimet e reja në tokat e varfra e të cekëta të zonavemalore me lartësi mbi 700 m. Vetëm vitet e fundit me këtë kulturë janë pyllëzuar rreth 20.000 ha. Përhapje në shkallë të gjerë kanë gjetur edhe halorët tipikë të zonës mesdhetare, siç është pisha e butë, pisha e detit, pisha e egër në zonën e
ulët bregdetare dhe atë jugore të vendit në lartësitë gjer 500-600 m. Me këto kultura është mbjellë gjithë brezi bregdetar i Adriatikut të Shqipërisë me gjatësi rreth 200 km. Ky brez luan rol të rëndësishëm edhe për mbrojtjen e kulturave bujqësore nga erërat dhe përmirëson kushtet klimatike (shih edhe Brezat pyjorë). Punimet për përgatitjen e tokës për P. bëhen të plota ose të pjesshme. Punimi i plotë i tokës është zbatuar në P. e ranishteve bregdetare dhe zallishteve të lumenjve. Gjatë periudhës 19461983 janë pyllëzuar gjithsej 173.000 ha, janë përmirësuar 397.000 ha pyje dhe janë bërë rreth 1.705.278 m3 sistemime malore. Gjatë periudhës 1971-1983 janë pyllëzuar 4.9 herë më shumë ha tokë se sa gjatë v. 1946-1960. Për P. janë përdorur farëra të zgjedhura me fuqi mbirëse mbi 70% të llojeve dushk, pishë e butë, arrë, gështenjë, pishë e zezë etj. Farat janë mbjellë me shpërndarje në gjithë sipërfaqen me tokë të parapërgatitur në breza, sidomos në rastin e ripyllëzimeve. P. me fidane zë peshën më të madhe dhe bëhet në të gjitha zonat fitoklimatike të vendit. Për P. japin ndihmesë gjithë punonjësit e në veçanti rinia me aksione. Muaji nëntor është shpallur muaji i pyjeve.
(Ll. T.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Pyllëzimi