QËNDRESA E POPULLIT SHQIPTAR KUNDËR AGRESIONIT FASHIST ITALIAN


QËNDRESA E POPULLIT SHQIPTAR KUNDËR AGRESIONIT FASHIST ITALIAN
✤ (Prill 1939). Agresorët italianë u pritën me luftë nga populli shqiptar. Me mijëra patriotë shqiptarë luftuan me trimëri në Durrës, Vlorë, Sarandë, Shëngjin si dhe në thellësi të vendit kundër agresorëve italianë. Qëndresa më e fortë iu bë pushtuesve fashistë në Durrës kundër kolonës së dytë të trupekspeditës. Atë e organizuan atdhetarët vullnetarë të ardhur nga drejtime të ndryshme të vendit, ushtarët dhe detarët e Durrësit, midis të cilëve u shqua Mujo Ulqinaku (shih). Ata i pritën agresorët italianë me breshëri zjarri të topave, pushkëve e mitralozëve, duke i zmbrapsur tri herë në det dhe i shkaktuan armikut të vrarë e dëme të tjera materiale. Vetëm epërsia e madhe në numër e në armatime e mposhti qëndresën e atdhetarëve shqiptarë dhe armiku mundi të pushtojë Durrësin. Forcat që vazhduan përparimin për në Tiranë, hasën në një qëndresë tjetër te ura e Shijakut, e cila qe hedhur në erë nga vullnetarët, si edhe afër Vorës.

Kundër forcave të kolonës së parë të trupekspeditës, që zbarkoi në Shëngjin, luftuan me trimëri një grup ushtarësh atdhetarë dhe një numër njerëzish nga populli i thjeshtë që kishin rrëmbyer armët nga depot e Lezhës. Ata i mbajtën të mbërthyer agresorët për orë të tëra. Atdhetarët shqiptarë bënë qëndresë kundër këtyre forcave edhe në hyrje të Lezhës, në Bushat, Barbullush, në lartësitë e kodrave të Beltojës e sidomos në urën e Bahçallëkut, ku grupe ushtarësh të batalionit «Drini» me disa oficerë atdhe* tarë, që nuk kishin braktisur repartin, së bashku me punëtorë shkodranë dhe me fshatarë nga Postriba, thyen sulmet e ushtrisë italiane duke e mbajtur atë të mbërthyer për orë të tëra.

Qëndresë e ashpër u bë nga atdhetarët punëtorë e fshatarë të Vlorës, që luftuan kundër forcave të kolonës së tretë të ushtrisë italiane. Në luftimet për kapjen e skelës agresorët lanë të vrarë e të plagosur. Një luftim edhe më i përgjakshëm u zhvillua në lartësitë e koarave me uilinj të Bestrovës, ku atdhetarët vlonjatë së toku edhe me ushtarët vullnetarë të ardhur nga Elbasani, për dy ditë e një natë gozhduan në vend forcat italiane.

Forcat e zbarkimit të kolonës së katërt u ndeshën në qëndresë të fortë në Sarandë. Për orë të tëra grupe atdhetarësh, ushtarakë e civilë, ndonëse të armatosur keq, luftuan me trimëri kundër forcave italiane që shoqëroheshin nga tanke dhe që u mbështetën nga aviacioni dhe artileria e anijeve, duke u shkaktuar atyre të vrarë e të plagosur.

Qëndresa e popullit shqiptar kundër agresionit fashist, megjithëse e paorganizuar, për shkak se mungonte një udhëheqje e vetme në shkallë kombëtare, i tregoi gjithë botës se populli shqiptar nuk e pranonte pushtimin e huaj dhe se ai ishte i vendosur ta vazhdonte luftën kundër tij deri në fund. Kjo qëndresë e armatosur ishte preludi i Luftës ANÇ që ai bëri kundër pushtuesve italianë e gjermanë e veglave të tyre, nën udhëheqjen e PKSH.

(V. J.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Qëndresa E Popullit Shqiptar Kundër Agresionit Fashist Italian


[cite]