QARKULLIMI BUJQËSOR
✤ Sistemi shkencor i renditjes dhe i ndërrimit të kulturave të arave në një grup ngastrash sipas viteve duke u mbështetur në kërkesat agroteknike, me qëllim që të ruhet e të rritet pjelloria e tokës dhe të shtohen rendimentet e bimëve. Në Q. B. elementi kryesor është përbërja ose lloji i kulturave. Në prodhimin e zgjeruar socialist Q. B, krijon kushte për shfrytëzimin më të mirë të mjeteve të prodhimit, për harmonizimin e bujqësisë me blegtorinë dhe të faktorëve të tjerë, që çojnë në marrjen e prodhimeve më të larta për çdo njësi plehu, uji, energjie dhe pune shoqërore. Q. B. rrit përmbajtjen e lëndës organike në tokë duke krijuar një bilanc të përshtatshëm midis sintezës dhe zbërthimit të saj dhe krijon raporte të drejta ndërmjet ujit e ajrit në tokë, si dhe regjimit ushqyes e veprimtarisë mikrobiologjike. Ndërrimi i kulturave ka rëndësi edhe për luftën kundër sëmundjeve e barërave të këqija. Q. B. bëhen disa vjeçare, në përputhje me strukturën e kulturave. Në ekonomitë e mëdha bujqësore vendosen edhe Q. B. foragjere, të perimeve ose të bimëve industriale. Në Shqipëri Q. B. u zbatua për herë të parë në Plasë dhe sot zbatohet në çdo ekonomi bujqësore, në përputhje me kushtet pedoklimatike dhe drejtimin ekonomik.
(R. Ga.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Qarkullimi Bujqësor
[cite]