Rëra dhe era
Në shkretëtirat dhe gjatë brigjeve të detit era ia ndryshon pamjen terrenit në mënyrë tekanjoze. Era që fryn pa pushim i bombardon me grimca rëre pjesët më të ngritura të shkëmbinjve. Në rast se sasia e rërës është tepër e madhe, era e grumbullon atë në mënyrë të vazhdueshme dhe formon dunat, pastaj e ngre prapë në ajër dhe e përhap. Dunat kanë pamje të ndryshme, që varet nga drejtimi i erës, nga forca e saj dhe nga lloji i rërës që merr ajo me vete.
Zakonisht duna ka një pjerrësi të ëmbël nga ana prej nga fryn era, d.m.th. nga ana «mbi ere». Kur era fryn nga kjo anë, ajo humbet shpejtësi dhe lë një pjesë të materialeve që ka marrë me vete. Era bie nga ana tjetër e dunës, nga ana «nën erë», që ka një pjerrësi më të mprehtë. Sa më shumë që rritet lartësia e dunës, aq më shumë frenohet era që i fryn përballë. Sa më shumë që ngadalësohet era, aq më e madhe është sasia e rërës që depozitohet në anën nën erë të dunës. Megjithatë, mund të fryjë një erë më e fortë, për shkak të së cilës, kur rëra pushon së vërtituri në ajër, duna e vjetër zhduket dhe vendin e saj e zë një dunë e re. Dunat mund ti krahasojmë me grumbujt e borës, me një ndryshim se dunat arrijnë lartësi më të mëdha. Në breg të detit, ku dunat vijnë varg njëra pas tjetrës, ato mund të arrijnë lartësi nga më të ndryshmet: 60-80 metra, si në gjirin e Gaskonjës, ose dhe deri në 300 metra, siç ngjet në vende me erëra të forta e të ndryshueshme (në Sahara, në shkretëtirën e Libisë). Dunat bregdetare në fillim shtrihen në drejtime paralele me plazhet ku depozitohet rëra, e cila merret me vete nga uji i detit. Në grykëderdhjet e lumenjve vargjet e dunave vendosen sipas drejtimit të hershëm të brigjeve. Kur rëra flaket tutje-tëhu nga era, mbetet trualli shkëmbor i formuar nga blloqe të mëdha, dhe rërat e depozituara nëpër ultësirat grumbullohen dhe formojnë një shkretëtirë rëre.
Dunat që zhvendosen nganjëherë paraqitin rrezik për njeriun. Në shkretëtirat ose në zonat veçanërisht të thata, shumë ndërtime janë varrosur në fakt nën dunat e lëvizshme prej rëre, Në vendet e banuara prej njerëzve janë bërë përpjekje për të ndalur lëvizjen e tyre, d.m.th. për të ndaluar veprimin e mëtejshëm të erës mbi to. Kjo është arritur me anën e mbjelljes së kaçubeve e të bimëve të tjera që i qëndrojnë thatësirës si gjineshtra, pisha e butë etj rrënjët e fuqishme e të shumta të cilave i çimentojnë me njëra-tjetrën grimcat e rërës. Mënyrë tjetër është ndërtimi i pritave e i pengesave të tjera që bëhen shkak për krijimin e një dune të re, e cila, duke u fiksuar në vend me anë të bimësisë, frenon pastaj veprimin e mëtejshëm të erës në drejtim të tokës së qëndrueshme. Sisteme të tilla përdoren në Holandë, në Danimarkë dhe në pjesë të shumta të bregdetit të Libisë.