RADIONDËRLIDHJA
✤ Ndërlidhje me anë të radiovalëve për dhënie e marrje sinjalesh, figurash, tekstesh të shkruara e të folura dhe shkëmbime të tjera informacioni. R. realizohet me valë të mesme, të shkurtra e shumë të shkurtra, që kanë kapacitet të vogël kanalesh. Ndërlidhja me kapacitet shumë të madh kanalesh arrihet me radiorelë, që punon me valë tepër të shkurtra. Në Shqipëri që më 1926 R. për komunikime radiotelegrafike bëhej nëpërmjet një radiostacioni relativisht të fuqishëm për atë kohë. Pas Çlirimit R. (ose radiokomunikacionet) u zhvillua dhe u fuqizua për sigurimin e pandërprerë të komunikimeve radiotelegrafonike tokësore, duke u pajisur me radiostacione të fuqishme dhe të kohës. Në sistemin e postëtelekomunikacioneve R. siguron shkëmbimin e informacionit me radiovalë në rastet e ndërprerjes së ndërlidhjes me mjetet e tjera, bën ndërlidhjen e porteve me anijet e flotës sonë tregtare, kudo që të ndodhen, të anijeve të peshkimit dhe anijeve të huaja tregtare që hyjnë e dalin në portet tona, si edhe ndërlidhjen telefonike e telegrafike me jashtë. Për përparësitë tekniko-ekonomike, e për kushtet e relievit malor të vendit tonë ka filluar të ngrihet rrjeti radio-rele, kombëtar dhe ndërkombëtar i telekomunikacioneve, i cili përdoret për shërbimet e telekomunikacioneve dhe transmetimet televizive e të radios. Me numrin e madh të kanaleve dhe cilësinë e lartë të komunikimit ai siguron mundësinë për kalimin në ndërlidhjen telefonike automatike e telegrafike, në transmetimin e programeve të radiodifuzionit, televizionit dhe në shërbime të tjera speciale.
(S.Ça-Mi. K. -I. Gi.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Radiondërlidhja
[cite]