REVOLUCIONARIZIMI I SHKOLLËS


REVOLUCIONARIZIMI I SHKOLLËS
✤ Etapa më e re e zhvillimit të arsimit në Shqipëri, që nis në vitet 1965-1968. Në stadin e ndërtimit të plotë të shoqërisë socialiste, të thellimit të gjithanshëm të revolucionit socialist, PPSH shtroi me forcë edhe problemin e revolucionarizimit të mëtejshëm të shkollës. Kjo diktohej edhe nga nevoja e një. lufte më të vendosur kundër ndikimeve të huaja ideologjike e pedagogjike në arsim e në shkollë. Prandaj, në Kongresin V të PPSH (1966) u theksua që revolucionarizimi i shkollës të jetë i gjithanshëm, të përfshijë vetë sistemin arsimor, brendinë e punës mësimore edukative, si dhe metodat e mësimit e të edukimit. Në fjalën e vet historike të 7 marsit 1968 «Për revolucionarizimin e mëtejshëm të shkollës sonë» sh. Enver Hoxha përpunoi nga të gjitha anët platformën e këtij aksioni. Mbi bazën e saj, në gjithë vendin u zhvillua një diskutim i gjerë popullor. Përfundimet e tij u miratuan në Plenumin VIII të KQ të PPSH, qershor 1969 (shih) dhe u sanksionuan edhe me ligj të veçantë të Kuvendit Popullor.

Në themel të programit të R. të Sh. qëndrojnë disa koncepte themelore si p.sh.: arsimi dhe shkolla zhvillohen në përputhjemestadinepërgjithshëmtë vendit, me strukturën dhe superstrukturën shoqërore; shkolla nuk është vetëm vendi ku mësohet, por edhe ku punohet; nuk mësohet vetëm në shkollë, por edhe në punë, në jetë, qëllimi përfundimtar i shkollës nuk është marrja e diplomës e mbarimi i universitetit, por për t’i shërbyer atdheut e socializmit ku të jetë nevoja.

Në qendër të gjithë procesit mësimor-edukativ të shkollës, si një shtyllë e paluajtshme kurrizore u vendos boshti ideologjik marksist-leninist. Krahas kësaj, gjithë puna e shkollës u ndërtua mbi bazën e tre komponentëve themelorë, mësimit, punës prodhuese dhe edukimit fizik e ushtarak. U ndërmor edhe një lëvizje e gjerë për përsosjen dhe revolucionarizimin e formave e të metodave të organizimit të mësimit e të edukimit. E tërë kjo lëvizje u udhëhoq e udhëhiqet nga parulla që punët e arsimit e të shkollës janë një çështje e madhe e Partisë, e shtetit, e mbarë popullit, e tërë shoqërisë.

(H.B.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Revolucionarizimi I Shkollës


[cite]